Magazinë
Transmetuar më 24-10-2024, 13:25

Josè Mourinho ka folur për shtypin, në prag të ndeshjes së Ligës së Europës mes Fenerbahçe dhe Manchester United. Pavarësisht vështirësive me të cilat “Djajtë e Kuq” janë përballur në vitet pas largimit të tij, trajneri portugez tha se ka besim se ish-klubi do të ketë sukses herët a vonë, duke zbuluar çuditërisht edhe planin për t’u rikthyer një ditë në Premier League.

"Ndoshta ju mendoni se po bëj blofin, por e kam në mendje rikthimin në Premier League, – tha 61-vjeçari. – Manchester United ka një ekip më të mirë se sa tregojnë rezultatet. Herët a vonë ata do të jenë të suksesshëm. Shpresoj sa më shpejt, përpara se të kthehem unë në Premier League".

Asnjëherë banal, José Mourinho u kthye për të folur mbi kohën e tij te Manchester United, në lidhje me mundësinë që Manchester City të penalizohet për mbi 100 akuzat në lidhje me shkeljet e përsëritura të rregullave financiare:

“Ne fituam Ligën e Europës, përfunduam në vendin e dytë në Premier League më 2018. Mendoj se kemi ende shanse për ta fituar atë kampionat, sepse ndoshta do ta ndëshkojnë Manchester City. Ndoshta do ta fitojmë atë kampionat dhe më pas do të duhet të më paguajnë bonusin, të më japin edhe medaljen”.

“Special One”, tani te Fenerbahçe, shtoi se e do Manchester United, madje shprehu mbështetjen e tij për trajnerin aktual Erik ten Hag: “Dua më të mirën për atë. Nëse gjërat nuk po shkojnë mirë për Manchester United, kjo nuk është diçka që më bën të lumtur”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit