Magazinë
Transmetuar më 05-04-2025, 10:35

Presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Shevchenko, ka lëshuar një deklaratë zyrtare, ku ka sulmuar UEFA-n. Sipas fjalëve të ish-lojtarit të Milanit, i kanë mbërritur sinjale të qarta që kanë treguar se Ukraina nuk shihej me sy të mirë brenda bordit drejtues të UEFA-s:

"Para së gjithash, dua të falënderoj edhe një herë federatat rajonale të futbollit dhe komitetin ekzekutiv të UAF për nominimin tim si kandidat për komitetin ekzekutiv të UEFA-s (referuar Kongresit të 49-të të organizatës në Beograd). Jam gjithashtu mirënjohës për ekipin tonë, për punën e bërë gjatë këtyre dy muajve të fushatës dhe për shoqatat kombëtare që më dhanë mundësinë të takohem ose të flas personalisht me pothuajse të gjitha.

Kam marrë një mbështetje të fortë nga kolegët për sa i përket përpjekjes sime për të hyrë në Komitetin Ekzekutiv, – ka vijuar Shevchenko. – Gjatë jetës dhe karrierës sime jam udhëhequr nga një parim themelor: ai sportiv. Besoj në konkurrencën e ndershme, të hapur dhe transparente.

Unë vij nga futbolli dhe jam për futbollin. Fatkeqësisht, ditët e fundit kemi marrë sinjale të qarta që, për shkak të faktorëve politikë, as Ukraina dhe as unë personalisht nuk ishim të mirëpritur në drejtimin e UEFA-s. Këto shqetësime u konfirmuan nga ngjarjet që pasuan gjatë vetë kongresit".

Ish-sulmuesi i Milanit nuk specifikoi, megjithatë, se cilat ishin këto sinjale: "Duke pasur parasysh këtë, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ato federate kombëtare që votuan për mua dhe Ukrainën. Sepse kjo votë nuk kishte të bënte vetëm me mua si kandidat, ishte një votë mbështetjeje për të gjithë vendin tonë.

Nuk do ta ndryshojmë pozicionin tonë. Do të vazhdojmë me reformat në futbollin ukrainas dhe do të qëndrojmë të përkushtuar ndaj një komunikimi të fortë ndërkombëtar, në interes të kombit tonë dhe të gjithë komunitetit futbollistik".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit