

Vrasja e studentes shqiptare Ilaria Sulës vijon të tronditë opinionin publik në Itali. Hetimet për ngjarjen makabre, ku ajo u vra nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, po zbulojnë çdo ditë detaje të reja.
Një nga dëshmitarët më të fundit është Maher Abouzeid, një i ri me origjinë egjiptiane dhe filipinase, mik i ngushtë i autorit. Në dëshminë e dhënë për mediat italiane, ai ka rrëfyer sjelljen e Samson menjëherë pas krimit.
“Natën pas ngjarjes, u takuam. Duart i kishte të enjtura. Kur e pyeta çfarë kishte ndodhur, më tha se ishte përleshur me dy djem para shtëpisë së Ilarias. Por kjo ishte vetëm fillimi i gënjeshtrave,” tha Maher.
Ai shtoi se Mark Samson fillimisht ishte i shqetësuar dhe i ankthshëm, por më pas sjellja e tij ndryshoi tërësisht.
“Filloi të qeshte, të këndonte dhe bënte shaka. U njohëm me dy turiste polake dhe qëndruam me to deri në orën tre të mëngjesit. Ato madje na ftuan dhe në shtëpinë e tyre për të vazhduar mbrëmjen. Nuk e kisha asnjë ide që Ilaria ishte e vdekur në atë kohë,” tha miku i Samson.
Ai rrëfeu edhe një detaj që ka tronditur hetuesit: Mark kishte frikë të linte makinën e tij vetëm, nga frika se trupi i pajetë i Ilarias mund të gjendej aty brenda.
“Kur i thashë të flinte te unë sepse ishte vonë, ai nuk pranoi. Ishte shumë i shqetësuar për makinën. Tani kuptoj pse,” përfundoi Abouzeid.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për këtë ngjarje të rëndë, e cila ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e grave dhe reagimin institucional ndaj rasteve të dhunës në marrëdhënie.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





