

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin ndaj të pandehurit Namik Koçi, i cili akuzohej për “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi biznesmeni banues në Durrës, i ofroi një shumë parash drejtorit të AKU me qëllim lehtësimin e procedurave për testimin e kampionëve të marra në subjektin tregtar në Durrës në vitin 2024.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme paraqiti çështjen pranë gjykatës në kuadër të procedimit penal nr. 34 të vitit 2024. Gjyqi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Bib Ndreca e shpalli fajtor Koçin.
Fillimisht, ai u dënua me 1 vit burg, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit, duke përfunduar me 8 muaj burgim. Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e tij në provë për një periudhë 1 vit e 4 muaj.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e shumës prej 70.000 lekësh, e konsideruar si mjet për kryerjen e veprës penale. Ndërkohë, shumat e tjera prej 215.000 lekësh dhe pajisjet elektronike personale do t’i kthehen të pandehurit dhe dy shtetaseve të tjera të përfshira në hetim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





