Transmetuar më 10-04-2025, 11:32

Franck Ribéry, një nga legjendat më të mëdha të Bayern Munich, ka folur për “Gazzetta dello Sport” në kuadrin e supersfidës mes Interit dhe bavarezëve, duke kujtuar momentet më të ndritura të karrierës së tij dhe shmangur krahasimet mes Harry Kane e Lautaro Martinez: “Nuk kam ndonjë preference mes tyre, sepse të dy t’i zgjidhin problemet. Të dy kanë pak fjalë dhe shumë vepra”.

Kur u pyet për një krahasim mes dysheve “ThuLa” (Thuram–Lautaro) dhe Ribéry-Robben, ai u përgjigj pa hezitim: “I adhuroj sulmuesit e Interit, duket që janë miq, ashtu si unë me Arjen. Por ne, përveçse luanim në role të ndryshme, qëndruam në majat e futbollit për 10 vite. Dyshja Ribéry-Robben ka shkruar historinë e futbollit, jo vetëm atë të Bayernit”.

Në lidhje me të ardhmen, Ribéry zbuloi se ka përfunduar kurset UEFA A dhe B, nga shtatori do të ndjekë kursin UEFA Pro, me qëllimin për t’u bërë trajner. Ai e sheh të ardhmen e tij në ‘Coverciano’, ku ndjehet tashmë si në shtëpi.

Ribéry tregoi se respekton çdo njeri në ambientet e futbollit, nga magazinierët te punonjësit e pastrimit, dhe se ndihet i nderuar nga mikpritja që ka marrë në Itali. Ai pranoi se nuk njihte shumë për vendin italian përpara se të mbërrinte aty, përveç tregimeve të ‘vëllait’ të tij të madh, Luca Toni, por zbuloi se dashuria për futbollin është universale në Itali, perceptohet në çdo nivel dhe moshë.

Ndër të tjera, kujtoi se ishte në Firence kur Italia fitoi ‘Euro 2021’, duke përshkruar emocionet që ndiheshin në rrugë. Për Interin e sotëm dhe suksesin e tij, francezi nuk ka dyshime për autorin më meritor: “Simone Inzaghi ka ndërtuar një ‘lodër’ shumë të bukur, skuadrat e tij kanë identitet të qartë. Më pëlqejnë njerëzit që rrezikojnë, si ai. Dhe si vëllai i tij, Pippo. Në një periudhë të shkurtër në Salerno, kam qenë ndihmësi i tij teknik dhe u kuptuam menjëherë. Me kampionët ndodh kështu, nuk duhen shumë fjalë”.

Kur u pyet për Marcus Thuram, djalin e ish-shokut të tij të skuadrës Lilian Thuram, Ribéry u shpreh me admirim: “Mjafton të flasësh për pak minuta me Lilian për të kuptuar pse Marcus është rritur kaq mirë. Në atë familje ekziston një mentalitet i qartë. Ai e di që nuk ka gjëra të shkurtra në futboll dhe po ndjek çdo hap për të evoluar. Më pëlqen ta shoh duke vrapuar, më pëlqen edhe ajo lidhja e tij me Lautaron”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit