KOSOVË- Kosova prej një viti e gjysme po planifikon të nisë me prodhimin e municioneve 5.56mm dhe 7.62mm që të jenë markë shtetërore. Planet për prodhimin e municioneve kanë ardhur pas marrëveshjes me kompaninë shtetërore turke, “Makine ve Kimya Endustrisi” për ndërtimin e fabrikës. Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci se tashmë, kompania turke ka nisur me prodhimin e pajisjeve që janë të nevojshme.
“Tashmë pas nënshkrimit të kontratës kompania prodhuese turke ka filluar pra prodhimin e makinerisë së nevojshme për prodhimin e municioneve. Nuk mund ta jap saktë kohën, por çka mund të them është më shumë se një vit e më pak se dy vite koha kur ne do të kemi mundësinë të shohim prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes më tej shtoi se janë në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municionit. Gjithashtu Maqedonci shtoi se Kosova është duke negociuar me disa shtete për të nisur edhe themelimin e laboratorit për dizajnimin e dronëve.
“Për çështjen e laboratorit për dizajnimin e dronëve, ne jemi duke analizuar edhe vende të tjera, kemi pasur informacione të ndryshme për mundësi për laboratorë të tillë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vende të tjera, nuk jemi të kufizuar në Republikën e Turqisë”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës në fund të vitit 2025 hyn në fazën e fundit të tranzicionit që dhe shndërrimin në ushtri të gatshme për të zhvilluar operacione për mbrojtjen e territorit. Në këtë fazë parashihet ndërtimi i kapaciteteve luftarake të forcës, që sipas ministrit një pjesë janë arritur të tilla si furnizimi me sistemin Javelin.
“Sistemet anti tank që kemi prokuruar nga Republika e Turqisë dhe ato që kemi prokuruar gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sistemi Javelin dhe nga Gjermania dhe vendet e tjera. Jemi në diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për liferimin e një pjese të sistemeve Javelin gjatë vitit 2025, për të vazhduar edhe me pjesën tjetër në vitet në vazhdim”, deklaron ai.
Maqedonci ka njoftuar se në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së ka nisur diskutimi edhe për furnizimin me helikopterë. Ai u shpreh se gjatë vitit 2025 është i bindur që do të arrihet të paktën të orientohen saktë në llojin e helikopterëve që duhet të kenë para përfundimit të fazës së tretë të tranzicionit që është vitit 2028. Nga viti 2021, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se për blerjen e sistemeve të armatimit vlera e shpenzuar ka shkuar 270 milionë euro. E gjithë kjo për përafrimin me standardet e NATO-s ku Kosova ka synim anëtarësimin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd