Magazinë
Transmetuar më 03-04-2025, 15:17

KOSOVË- Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Federata e Futbollit e Serbisë (FFS) janë përplasur rreth pranisë së flamurit të Kosovës në në Kongresin e 49-të të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) në Beograd më 3 prill.

Derisa Federata Serbe tha se e kishte hequr flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit në kryeqytetin serb, Federata Kosovare nguli këmbë se flamuri ishte i pranishëm deri në përfundim të mbledhjes.

Një video e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke u fotografuar pranë flamurit të Kosovës në ngjarjen e UEFA-s në Beograd mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe media të mërkurën vonë.

Në ditën e Kongresit të UEFA-s, të enjten, Federata Serbe tha se e hoqi flamurin, duke e fajësuar UEFA-n për vendosjen e tij.

UEFA nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në pyetjet e saj rreth kësaj ngjarje deri në publikimin e këtij teksti.

Kosova është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s që nga viti 2016, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë praninë e Federatës së Kosovës në shtëpinë e futbollit evropian, ashtu siç e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008.

Në një komunikatë për media të enjten herët, Federata Serbe tha se "organizimi i jashtëzakonshëm" i Kongresit u la në hije nga "një mbikëqyrje nga organizatorët që një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jofutbollistike".

“Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri dhe me përgjegjësi të plotë informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd nuk ka flamuj të të ashtuquajturës Kosovë”, thuhet në njoftimin e Federatës Serbe.

Nuk është e qartë se në çfarë ore është hequr flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit, ndërsa tubimi vjetor i UEFA-s përfundoi pak pas mesditës të enjten.

Megjithatë, Federata Kosovare i kundërshtoi pretendimet e homologes së vet serbe, duke thënë se Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore.

Në një reagim në ueb-faqen e saj, FFK-ja tha se në lidhje me pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, “theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s”.

“Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, tha ajo.

FFK-ja paralajmëroi se do të paraqesë “menjëherë” notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare “lidhur me këto veprime, që janë kundër vlerave që promovon UEFA”.

Kongresi i 49-të i rregullt i UEFA-s u mbajt në Qendrën e Kongreseve Sava në Beograd. Ky tubim vjetor mblodhi presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm nga 55 federatat kombëtare anëtare të UEFA-s për të diskutuar çështjet kryesore që formësojnë futbollin evropian.

Në fjalimin e tij hapës, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, theksoi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në futbollin evropian.

"Ne jemi një ekip i bashkuar. Një forcë e unifikuar. Dhe një union i fuqishëm. Ne jemi unioni i futbollit evropian”, tha ai./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit