

Mosgarantimi i fshehtësisë së votës gjatë procesit zgjedhor mbetet shqetësues për faktorin vendas dhe të huaj.
Ambasadori i OSBE, Michel Tarran, gjatë konferencës së organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe OSBE mbi parandalimin e presionit ndaj votuesve në zgjedhje, vuri theksin te presioni që i bëhet votuesve duke iu referuar gjetjeve të raportit nga zgjedhjet e kaluara.
“Presioni i dekurajon zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirisht dhe pa frikë”, deklaroi ambasadori më tej në fjalën e tij. Përvojat e fundit dhe raportet e OSBE/ODIHR kanë treguar se ruajtja e fshehtësisë së votimit në Shqipëri has sfida. Raportet vënë në dukje se proceset ndikohen negativisht nga problemet teknike dhe procedurale për votimet në grup, tensionet, presionet ndaj zgjedhësve brenda dhe jashtë Qendrave të votimit”, tha Tarran.
Diskutimi i hapur me përfaqësuesit organizatave dhe shoqërisë civile u orientua në fshehtësinë e votës në diasporë, ku Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Erida Skëndaj vuri në pikëpyetje pikërisht parimin e fshehtësisë në distancë.
“Vota e emigrantëve, fshehtësia për emigrantët fatkeqësisht nuk do i shohim dot kur votojnë atje, pasi nuk do të votojnë përpara një qendre votimi, nuk ka as individ që do bëjnë referim të shkeljes së fshehtësisë së votës. Pra, nuk dalim dot garant që emigrantët do të respektojnë parimin e fshehtësisë së votës”, tha Skëndaj.
Pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të datës 11 maji për mbajtjen e procesit zgjedhor, KQZ po zhvillon tryeza diskutimesh me shoqërinë civile, ekspertë dhe media për një proces sa më demokratik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd