

TIRANË- Kryetari i Shoqatës Tirana, Arben Tafaj është ndarë nga jeta ditën e sotme. Pas ndarjes nga jeta të Arben Tafajt ka reaguar familja e tij, ku në një postim në rrjetin social zyrtar të Kryetarit te Shoqatës Tirana, shkruhet se përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e Mërkurë në orën 11:00.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të politikanit, drejtuesit, shembullit të qytetarisë, babain dhe vëllain shembullor, Kryetarit te Shoqatës Tirana, Z. Arben Tafaj!
Qoftë i paharruar kujtimi i tij! Ngushëllimet e perzemerta familjes! Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e Mërkurë më datë 4 Dhjetor, ora 11:00 në Funeral Home Alba 2000 në Rrugën e Dibrës”, shkruhet në postim.
Gjithashtu në lidhje me ndarjen nga jeta të Tafajt ka reaguar edhe mjeku Ilir Alimehmeti, i cili me anë të një postimi në "Instagram" ka shprehur ngushëllimet për familjen e ish-kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Alimehmeti përveç një mik e quajti Tafajn një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare. Ai shtoi se humbja e tij është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës
“Me hidhërim të thellë u njoftova për ndarjen e papritur nga jeta të z. Arben Tafaj, i cili nuk ishte vetëm një mik, por edhe një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare.
Humbja e Benit është patjetër humbje e hidhur për familjarët dhe miqtë e tij, por është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës! Ngushëllime të ndjera familjes Tafaj për humbjen e një njeriu të dashur, të urtë e të matur. Do të na mungosh Beni”, shkruan Alimehmeti.
Arben Tafaj drejtonte shoqatën” Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare.
Tafaj ka qenë edhe kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Vitet e fundit, Arben Tafaj ishte pjesw e Partisw Agrare Ambientaliste.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd