Magazinë
Transmetuar më 07-04-2025, 10:52

Drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, është rikthyer të flasë për çështjen Thomas Müller, e cila vijon të jetë në qendër të vëmendjes, pas njoftimit në rrjetet sociale nga vetë lojtari, i cili, përmes një letre të hapur, bëri me dije se do të largohet në fund të sezonit nga bavarezët për shkak të një vendimi të klubit.

Eberl ka deklaruar për “Sport 1”: "E kam bërë këtë deklaratë në janar dhe tani gjithçka po ndërtohet rreth saj, me të drejtë. Duhet të them që ndoshta nuk kam qenë aq i zgjuar sa ta thoja kaq hapur. Nuk kam qenë i zgjuar, sepse thjesht jam emocional".

Po për çfarë deklarate bëhet fjalë? Në janar, gjatë një konference për shtyp, Eberl kishte thënë: "Rinovimi i Müller? Nuk ka nevojë për shumë negociata. Nëse ai thotë se dëshiron të vazhdojë, atëherë do ta shohim njëri-tjetrin në sy, do të analizojmë skuadrën dhe pastaj do të ecim përpara".

Më pas, Eberl shpjegoi çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë: "Ajo që për fat të keq ndodh shpesh në sport, ndodhi edhe në këtë rast: minutat e lojës për Thomas kanë qenë të shumta në pjesën e parë të sezonit, por më pas ranë ndjeshëm.

Dhe pastaj ne, si drejtues të klubit, bashkë me Christoph Freund dhe Vincent Kompany, filluam të mendojmë për si do të dukej skuadra e së ardhmes, si do t’i trajtonim lojtarët dhe cilat kontrata do të donim t’i zgjatnim. Në një moment, si drejtues, morëm një vendim dhe thamë: ok, nuk duam ta zgjatim kontratën e Thomas. Pra, ishte vendim kolegjial".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit