

Jo vetëm për Erling Haaland, ish-mesfushori i Real Madridit, Rafael van der Vaart, foli edhe për paraqitjet e Kylian Mbappé, që sipas tij janë nën pritshmëritë. Duke folur në talkSPORT, këto ishin disa nga deklaratat e tij për francezin:
"Nuk duhet ta harrojmë presionin që Real Madridi ushtron mbi çdo lojtar. Në asnjë klub tjetër nuk është e njëjta gjë, është e frikshme. Një herë shënova tripletë në ‘Bernabéu’, por topin tjetër e gjuajta jashtë dhe më fishkëllyen. Atje janë me të vërtetë kritikë. Nuk e di pse.
Nuk mund ta shpjegoj, sepse e kam përjetuar vetë, por çdo ditë është si një ditë ndeshjeje. Madje edhe stërvitjet dalin në gazeta. Është e vështirë të dalësh në rrugë. Në Londër, lojtarët mund të shkojnë në qendër pa problem. Por atje, nuk e kam parë kurrë qendrën e qytetit. Dhe unë nuk isha as lojtari më i rëndësishëm, as emri më i madh i Real Madridit".
Një parashikim skeptik për francezin kishte bërë edhe CR7 në shtator: "Do të shohim nëse mendja e tij është e kthjellët dhe nëse mund ta përballojë presionin mirë, sepse Real Madridi nuk është si PSG-ja. Këtë mund ta garantoj.
Mbappé vjen tani dhe mund të thuash: A do të jetë Real Madridi më i mirë me të? Nuk e dimë, duhet parë. Mendoj se Real Madridi do të mbetet i fortë, por nuk e di nëse do të jetë më i mirë se vitin e kaluar. Do të shohim. Vetëm Zoti e di. Ata kanë një ekip të madh, lojtarë të mëdhenj, këtë e them me siguri".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd