Transmetuar më 10-11-2024, 23:11

Në Perëndimin relativisht liberal, ne shpesh supozojmë se qeveritë në mbarë botën duhet të veprojnë sipas parimeve të ngjashme demokratike me ato perëndimore, me përfaqësues të zgjedhur, debate parlamentare etj. Por ja që ka një sërë sistemesh të ndryshme, duke filluar nga autokracia absolute – në formën e shteteve njëpartiake, diktaturave dhe regjimeve totalitare – deri te qasjet e bazuara në pjesëmarrje dhe debat publik.

Për më tepër, demokracia në vetvete nuk është aspak një koncept i vetëm, me versione të ndryshme të përkufizimit klasik në të gjithë botën.

Le të hedhim një vështrim në disa nga sistemet e ndryshme qeverisëse në botë. Në fund të fundit, ne nuk mund ta kuptojmë se si ndahet, transferohet, ruhet dhe zbatohet pushteti – ligjor, ekzekutiv e jo vetëm, nëse nuk i kuptojmë strukturat e shumta mbi të cilat ai ngrihet.

Demokracia përfaqësuese Një sistem në të cilin publiku zgjedh përfaqësuesit e tij përmes një procesi të rregullt votimi. Shumica dërrmuese e demokracive perëndimore janë ndërtuar rreth kësaj metode përzgjedhjeje. Shembull: Mbretëria e Bashkuar, ku anëtarët e Parlamentit zgjidhen përmes votimit të popullit në 650 zona parlamentare.

Demokracia parlamentare

Një grup përfaqësuesish të zgjedhur formojnë një parlament në këtë sistem, i cili më pas emëron një drejtues ekzekutivi si kreun e qeverisë, i cili mund të votohet dhe rrëzohet nga pushteti – ndryshe nga një president, i cili nuk mundet. Shembull: Gjermania, ku Bundestagu (përfaqësuesit e zgjedhur të popullit) emërojnë një kancelar (Bundeskanzler).

Demokracia presidenciale

Një sistem presidencial ndryshon nga një demokraci parlamentare në atë që kreu i shtetit zgjidhet nga publiku, në vend që të emërohet nga legjislativi, dhe si i tillë zakonisht nuk mund të shkarkohet nga legjislatura në fjalë. Shembull: Shtetet e Bashkuara, ku presidenti drejton degën ekzekutive, ndërsa dega ligjore vepron jashtë kompetencave të tij.

Demokracia kushtetuese

Një demokraci quhet kushtetuese nëse ajo funksionon sipas parimeve ose politikave të regjistruara në një kushtetutë, një dokument, përmbajtja e të cilit miratohet nga dega publike dhe/ose ligjore e vendit. Shembull: Zvicra, kushtetuta e së cilës përcakton ndarjen e vendit në 26 kantone dhe e cila është përditësuar së fundmi në vitin 2000.

Demokracia e drejtpërdrejtë

Në këtë sistem, popullsia e një vendi, qyteti ose njësie merr vendimet e veta për politikat pa u dashur që një grup përfaqësuesish ta bëjnë këtë për ta. Shembull: Qyteti-shtet i Athinës rreth vitit 600 pes operonte një formë të demokracisë së drejtpërdrejtë; një shembull më modern është Lihtenshtejni. Shumë vende kanë gjithashtu referendume, një koncept i lidhur ngushtë me demokracinë e drejtpërdrejtë.

Demokracia liberale

Sipas këtij sistemi, një qeveri kërkon të përfaqësojë elektoratin e saj me një theks relativisht të fortë mbi hapjen, barazinë, përgjegjshmërinë (kontrollet dhe ekuilibrat) dhe ndarjen e pushteteve, përgjithësisht me më shumë se një parti që merr pjesë në zgjedhje. Shembull: Islanda, ku qeveritë e koalicionit shihen si normë dhe politikat janë shpesh me natyrë progresive.

Demokracia sociale

Një aspekt kryesor i një demokracie sociale është se ajo fokusohet në nevojat e qytetarëve të saj, duke krijuar një sistem të mirëqenies, për shembull. Vini re se socializmi demokratik, një qasje e lidhur me të, por jo identike, e vë më shumë theksin në qëllimin e ndërtimit të një shoqërie socialiste. Shembull: Afrika e Jugut, ku qeveritë e kanë ndjekur këtë qasje që nga viti 1994, me shkallë të ndryshme suksesi.

Demokracia me pjesëmarrje

Ky sistem lejon publikun e një vendi, ose një pjesë të përzgjedhur të tij, të përfshihet drejtpërdrejt në politikëbërje dhe në qeverisje, me ose pa praninë e përfaqësuesve të zgjedhur. Shembull: Irlanda, ku një Asamble Qytetare u formua në vitin 2011 për të përfshirë publikun në hartim politikash. Mediat sociale janë gjithashtu një forum i diskutueshëm për demokracinë pjesëmarrëse.

Demokracia debatuese

Çdo demokraci që përfshin një element debati, argumenti, diskutimi dhe peshimi të opsioneve të shumta nga një grumbull njerëzish përpara se të ndërmerren veprime, mund të thuhet se është debatuese. Shembull: Asambleja Qytetare e Belgjikës ka diskutuar mbi politikat e vendit që nga viti 2019 dhe ka kompetencat e veta legjislative.

Demokracia konsociative

Nëse grupe qytetarësh me etni, fe ose vlera të tjera të ndryshme punojnë së bashku brenda një demokracie për të ndarë pushtetin politik dhe ligjor në dobi të të gjithë pjesëmarrësve, ata kanë një sistem konsocial. Shembull: Midis 1857 dhe 1967 Holanda i ndau pushtetet midis katër grupeve – dy fetare, njëri politikdhe një jo i specifikuar.

AUTOKRACITË

Monarkia absolute

Kur një monark zotëron pushtet absolut në vendin e tij, i pakufizuar nga kufijtë ligjorë, ai është kreu i një monarkie absolute. Këto nuk ekzistojnë më në Perëndim, përveç qytetit të Vatikanit dhe (ndoshta) Lihtenshtejnit. Shembull: Omani, ku Sulltani dhe Kryeministri Haitham bin Tarik zotërojnë të gjitha fuqitë ligjore. Diktatura

Një sistem në të cilin një individ i vetëm, ose një grup i vogël individësh, ruan të gjithë pushtetin është një diktaturë. Ne zakonisht i shohim sisteme të tilla negativisht, por ekziston gjithashtu koncepti i një ‘diktature dashamirëse’, megjithëse shembuj të tillë janë të rrallë. Shembull: Gjermania naziste, diktaturë e cila ekzistoi nga viti 1933 deri në vitin 1945, udhëhiqej nga diktatori Adolf Hitler dhe grupi i tij i ministrave. Regjimi totalitar

Totalitarizmi është besimi se shoqëria mund dhe duhet të organizohet sipas një vizioni të vetëm, të përsosur dhe se detyra e një vendi është të përparojë drejt atij vizioni me çdo kusht. Shembull: Koreja e Veriut, ku dinastia e liderëve Kim zbaton një ideologji izolacioniste, të bazuar në komunizmin e mbështetur te vetvetja.

Regjimi autoritar

Nëse një qeveri kontrollon qytetarët e saj me ligje të rrepta, frenon liritë e tyre personale, politike dhe liritë e tjera dhe përdor forcat policore ose ushtarake për t’i nënshtruar, ky është një shembull i autoritarizmit. Shembull: Siria, ku shkeljet e të drejtave të njeriut janë raportuar si ndër më të këqijat në botë.

Junta ushtarake

Junta (“këshill në spanjisht), kur formohet nga pjesëtarë të forcave të armatosura të një vendi, quhet juntë ushtarake. Një organizatë e tillë ose mund ta krijojë një qeveri, ose mund ta zëvendësojë një të tillë. Shembull: Burkina Faso, ku Lëvizja Patriotike për Mbrojtje dhe Rivendosje ka sunduar që nga grushti i shtetit në vitin 2022.

Teokracia

Qeveria teokratike është sundimi i një vendi nga një Perëndi nëpërmjet dishepujve të tyre, të cilët ekzekutojnë punët e qeverisjes sipas dogmës së fesë së tyre. Shembull: Afganistani, i cili udhëhiqet nga talebanët, të cilët qeverisin sipas interpretimit të tyre të ligjit të sheriatit islam.

Shteti njëpartiak

Një shtet njëpartiak lejon vetëm një parti të vetme të marrë pjesë në zgjedhje dhe të qeverisë. Partitë e tjera konsiderohen të paligjshme (ose sanksionohen nga partia në pushtet për të luajtur një rol mbështetës), duke siguruar që pushteti qeveritar të ruhet përgjithmonë nga i njëjti grup politik. Shembull: Kina, ku Partia Komuniste Kineze ka qeverisur vendin që nga viti 1949.

Regjimi hibrid

Ndërsa në procesin e lëvizjes nga njëri skaj i spektrit autoritar-kundrejt-liberal në tjetrin, një shtet hibrid është një vend që thjesht zotëron elementë të të dy sistemeve. Shembull: Brazili, i cili në vitet e fundit nën Presidentin Bolsonaro, kishte kaluar një proces autokratizimi duke ruajtur elementë të politikës liberale.

SISTEME TË TJERA

Oligarkia

Çdo sistem në të cilin pushteti është në duart e një grupi relativisht të vogël individësh mund të përshkruhet si oligarki. Këta oligarkë zakonisht zotërojnë pasuri të konsiderueshme, qoftë të trashëguara, të vjedhura, të dhëna nga shteti i tyre apo të fituara nëpërmjet përpjekjeve kapitaliste. Shembull: Rusia, shumë prej oligarkëve të së cilës fituan shuma të mëdha parash në vitet menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Aristokracia

Nëse një klasë individësh të pasur, të privilegjuar, shpesh me pasuri të trashëguara dhe – në vendet me sisteme titujsh – tituj nderi, sundojnë një vend, kjo është një aristokraci.

Shembull: Mbretëria e Bashkuar është pjesërisht një aristokraci për shkak të ekzistencës së Dhomës së Lordëve, e cila mund të vonojë ligjet e reja nga Dhoma e Ulët. Derisa kompetencat e saj u zvogëluan në vitin 1911, Lordët mund të vendosnin veton ndaj projektligjeve të miratuara nga Dhoma e Ulët. / bota.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit