Magazinë
Transmetuar më 22-03-2025, 12:49

"Po, sigurisht. Kam thënë gjithmonë se jam një tifoz i Interit, por nuk dua të qëndroj këtu duke bërë premtime, sepse tani nuk ka kuptim. Mendoj për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon". Këto janë fjalët e Kristjan Asllanit, të cilat i tha pas humbjes së Shqipërisë përballë Anglisë (2-0) në ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit 2026, në “Wembley”.

Mesfushori 23-vjeçar, i cili është thirrur shpesh gjatë sezonit për të zëvendësuar Calhanoglu, nuk ka shmangur komentet për kritikat e marra dhe vërshëllimat nga tifozët zikaltër. Në mikrofonat e “SportMediaset”, shqiptari u shpreh:

"Kam marrë fishkëllima, nuk po them gënjeshtra. Sigurisht që ata kishin arsyet e tyre, nuk luaja mirë, i meritoja fishkëllimat, i pranoj të gjitha gjërat negative. Megjithatë, pas Superkupës tifozët ishin shumë agresivë ndaj meje, nuk mendoja se e meritoja atë trajtim".

Ai ka treguar se këto reagime nuk do të ndikojnë në mënyrën se si do të vazhdojë të punojë: "Edhe pse ka qenë një vit i vështirë, unë vazhdoj të punoj pa shqetësime. Ekipi më mbështet, kam një familje që më do. Jam 23 vjeç, e di që mund të rritem dhe të bëhem lojtar më i mirë. E di që gjatë këtyre tri viteve nuk kam treguar gjithmonë potencialin tim, por edhe luajtja pak dhe aktivizimi nga pankina është një situatë e vështirë".

Asllani ka reflektuar gjithashtu mbi periudhën e tij tek Interi, duke vlerësuar mundësinë për të mësuar nga lojtarë si Hakan Çalhanoğlu dhe Marcelo Brozovic. Shqiptari është gati të marrë hapa të mëdhenj në karrierën e tij. Për të ardhmen, Asllani ka thënë:

"Kur mbërrita në Milano, e bëra sepse e shihja veten duke luajtur shumë vite tek Interi. Shpresoj ende të qëndroj për një periudhë të gjatë, por në futboll nuk dihet asgjë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, tani kemi edhe dy muaj nga sezoni në vazhdim, do të mundohem të jap më të mirën".

Ai ka komentuar gjithashtu për sezonin e shkëlqyer të Interit deri tani, ende në garë për t’i fituar të gjitha kompeticionet: "Shpresojmë që t’i përfundojmë sa më mirë këto dy muajt e fundit të sezonit, sepse e dimë se janë shumë të rëndësishëm. Jemi ende në lojë në të gjitha kompeticionet, do të mundohemi të bëjmë më të mirën".

Asllani gjithashtu ka mbështetur fjalët e Marko Arnautovic, i cili ka thënë se duhet të përpiqen t’i fitojnë të katër kompeticionet ku ende garojnë: "Po, Arna ka të drejtë, ai është më i vjetër dhe ka fituar tripletën. Interi është një ekip i fortë, nëse jemi ende në të gjitha kompeticionet, duhet të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit