Magazinë
Transmetuar më 24-03-2025, 11:45

Sot bëhet një vit që kur Robinho, 41 vjeç, ndodhet në burg, pasi u dënua përfundimisht me 9 vite heqje lirie për një përdhunimin në grup ndaj një vajze të re shqiptare në vitin 2013, në një klub nate në Milano. Ish-futbollisti i njohur i ka mohuar gjithmonë akuzat, por nuk ka mundur t’i shmanget dënimit.

Avokatët e tij vazhdojnë të kërkojnë rrugë ligjore për të apeluar dënimin, duke argumentuar se drejtësia braziliane nuk është e njëjtë me atë italiane, ndaj duhet të zbatohet ligji lokal. Robinho është i burgosur në Tremembé, një burg i famshëm në brendësi të São Paulos, ku zakonisht mbahen kriminelë të njohur ose personalitete të tjera që mund të jenë në rrezik në burgje të zakonshme për shkak të profilit të tyre publik.

Ky institucion njihet edhe si "burgu i të famshmëve", ku ndodhen politikanë si Luiz Estevão apo figura të njohura si Antonio Marcos Pimienta das Neves, si dhe kriminelë të famshëm si Cristian Cravinhos apo Alexandre Nardoni.

Ndërkohë që avokatët ndjekin rrugën ligjore, ish-lojtari i Santosit, Real Madridit, Manchester City dhe Milanit po përpiqet të përfitojë nga sjellja e mirë për të fituar një regjim më të butë burgimi dhe eventualisht lirinë me kusht. Sipas mediave braziliane, ai ka një sjellje shembullore, ka marrëdhënie të mira me të burgosurit e tjerë.

Kur luan futboll, e bën me këpucë të marra hua nga të burgosurit e tjerë, të cilët entuziazmohen duke e parë të luajë në oborrin e burgut. Në ndeshjen e tij të parë, në një fushë me dhe, me gardianët si spektatorë, ai mori një goditje të fortë pas një serie driblimesh, duke përfunduar në tokë. "Tani është i pagëzuar", – ishte thirrja që u dëgjua nga të burgosurit e tjerë.

Robinho merr pjesë në aktivitete sportive, kalon kohë duke marrë rreze dielli dhe është përfshirë në një kurs elektronik 600-orësh, ku mëson të riparojë televizorë dhe radio. Ai është gjithashtu anëtar i klubit të leximit, kujdeset për kopshtin e burgut, ka përfunduar 10 modulet e Programit të Edukimit për Punë dhe Qytetari, i cili ndihmon në uljen e dënimit. Për çdo 12 orë punë, i reduktohet një ditë burgimi.

Ai ndan një qeli 8 metra katrorë me një tjetër të burgosur 22-vjeçar, i cili është dënuar për nxitje të vetëvrasjes ose vetëlëndimit të një personi tjetër.

Ish-sulmuesi brazilian mund të marrë vizita vetëm nga familjarët e shkallës së parë, si prindërit, fëmijët dhe bashkëshortja. Një herë në muaj e viziton djali i tij, Robinho Jr, i cili së fundmi ka firmosur me Santosin.

Nga jashtë, familjarët mund t’i sjellin ushqime, si ëmbëlsira, mish, perime, pije freskuese dhe sallata, si dhe rroba (sandale, pantallona të shkurtra, triko), lojëra si shah ose dama, materiale për shkrim dhe libra, me përjashtim të atyre me përmbajtje pornografike.

Ish-futbollisti këmbëngul se marrëdhënia intime me “viktimën” ishte konsensuale dhe se në provat e policisë nuk është gjetur ADN-ja e tij, pasi pretendon se kishte përdorur prezervativ.

"Nuk e kam mohuar kurrë. Ishte me pëlqim të dyanshëm. Mund ta kisha mohuar, sepse ADN-ja ime nuk është aty, por nuk jam gënjeshtar. Kemi pasur një marrëdhënie të shkurtër dhe sipërfaqësore. U puthëm, pastaj unë shkova në shtëpi. Ajo donte të vazhdonte me djemtë e tjerë, ndërsa unë u largova… Nuk e kam mohuar asnjëherë".

Pavarësisht deklaratave të tij, Tribunali i Kasacionit në Romë, instanca më e lartë e drejtësisë në Itali, konfirmoi më 2020 dënimin me 9 vite burg për Robinhon dhe mikun e tij Ricardo Falco, për "dhunë seksuale në grup".

Në ngjarje ishin përfshirë edhe katër brazilianë të tjerë, të cilët u larguan shpejt nga Italia dhe nuk u arrestuan. Njëri prej tyre, Rudney Gomes, 46 vjeç, ish-truproja i Robinhos, u gjet i vdekur këtë javë në atë që dyshohet të jetë vetëvrasje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit