STRUGË- Në një zbulim të jashtëzakonshëm arkeologjik në Strugë, është gjetur një helmetë e lashtë, e cila mendohet të jetë e fisit ilir të Enkelejtëve dhe daton mbi 2,500 vite më parë.
Helmetat e këtij lloji, të njohura si “Helmetat Korinthase”, ishin përdorur në Ilirinë e Jugut, veçanërisht nga figura e njohur historike, mbreti Pirro i Epirit. Ky zbulim, së bashku me objekte të tjera të rëndësishme si qeramika bronzi dhe ari të gjetura në varrin mbretëror, ka bërë jehonë në mbarë rajonin për vlerën e tij historike dhe kulturore.
Por mediat maqedonase dhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut , po tentojnë që të mos i lidhin këto gjetje arkeologjike me periudhën ilire, por po tentojnë ta shesin ngjarjen sikur janë gjetur në një fshat të Maqedonisë së Veriut, pra jo troje shqiptare.
Fiksi udhëtoi në fshatin Koroshisht në Strugë për të parë nga afër gërmimet që po bëheshin. Me të arritur grupi u njoftua se punimet kishin mbaruar dhe se ara në të cilën ishin gjetur artefaktet arkeologjike ishte kthyer në gjendjen e mëparëshme.
Fiksi kontaktoi me pronarin e tokës ku u bënë gërmimet z. Shefit Shemshedinin, i cili tregoi për Fiksin sesi i kishte gjetur këto artefakte. Fillimisht gjatë punimit të tokës me kazëm në vitin 2020 kishte gjetur helmetën e parë. ” Më pas hasa në disa gurë dhe e kisha të vështirë të gërmoja ndaj mora një eskavator dhe aty më pas gjetëm helmetën e bronxit , të cilën e çuam në muzeun e Ohrit” tregon Shemshedini.
Pas 4 vitesh një grup arkeologësh kanë shfaqur interes dhe kanë shkuar në pronën e tij, ku i kanë kërkuar leje për të bërë gërmime të specializuara.
Por nga viti 2020 deri në vitin 2023 askush nuk e kishte marrë mundimin që zonën ta shpallte zonë arkeologjike.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e artefakteve të gjetura Fiksi takoi edhe arkeologun shqiptar Fitni Dalipi. Z. Dalipi i është bashkuar grupit të arkeologëve maqedonas që nga dita e parë e gërmimeve . Dalipi tregon se në këtë zonë janë gjetur disa gjëra si gjilpërat, helmetën, copëza floriri. Madje ata si arkeolog mendojnë se aty mund të gjejnë rrënojat e një qytetërimi që i përket shekullit të 6 para erës së re. Këto artefakte i përkasin fisit të ilirëve Enkelejëve, të cilët kanë banuar në krahinat përreth liqenit të Ohrit e që kanë krijuar dinastinë e parë të mbretërisë Ilire në fund të shekullit 5 para Krishtit. Ndërkohë që arkeologët maqedonas nuk duan ta pranojnë këtë fakt .
Fiksi kontaktoi edhe me nënkryetarin e fshatit Koroshisht z. Xhemil Alla, i cili deklaroi se gjithë fshati dhe banorët janë të gatshëm që t’i vënë tokat e tyre në dispozicion të arkeologëve. Kjo pasi ata ndjehen shumë me fat që në tokat e tyre janë gjetur artefakte ilire. ” Kjo dëshmon lashtësinë e popullit shqiptarë në këto toka” shprehet nënkryetari Alla.
Por tjetër gjë shkruhet e thuhet në median e shtetit fqinj, të cilët po mundohen me dezinformim duke i dhënë një tjetër konotacion gjetjeve arkeologjike. e para gjë që bëjnë mediat maqedonase është se kanë ndryshuar lokalizimin e këtyre gjetjeve arkeologjike, duke e hequr nga vendbanimet me popullsi shqiptare dhe duke informuar se gërmimet janë bërë në fshatin Volinë. Fshat me popullsi maqedonase që e ndan me fshatin Koroshishtë vetëm një urë.Fshati Koroshishtë ka mbi 90% të popullsisë shqiptare dhe shtrihet në verilindje të Strugës..
Ajo që ngre edhe më shumë dyshime për të shtrëmbëruar të vërtetën e prejardhjes së këtyre artefakteve arkeologjike, është se në grupin e arkeologëve shihet edhe arkeologu maqedonas Pasko Kuzman. Ky i fundit është dënuar në vitin 2014 nga Gjykata Penale në Shkup me tre vjet burg për gërmim dhe shitje ilegale të objekteve arkeologjike.
Edhe në reagimin zyrtar të Ministrit të Kulturës së Maqedonisë së Veriut në asnjë fjalë nuk thuhet se këto artefakte i takojnë periudhës ilire. Në reagim minstri ka pohuar vetëm se këto gjetje arkeologjike i përkasin shekullit të gjashtë para erës sonë dhe paraqesin një nekropol arkaik./Top Channel
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd