Çdo vit, më 1 dhjetor, bota përkujton Ditën Botërore të SIDA-s. Njerëzit në mbarë botën bashkohen për të treguar mbështetje për njerëzit që jetojnë me HIV dhe për të kujtuar ata që kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.
Çdo Ditë Botërore e SIDA-s fokusohet në një temë specifike, e cila këtë vit është slogani "Merrni rrugën e të drejtave".
Tema e këtij viti i bashkohet një liste në rritje të sfidave për të cilat Dita Botërore e SIDA-s ka alarmuar njerëzit në mbarë botën. E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e SIDA-s ishte dita e parë ndërkombëtare për shëndetin global.
Çdo vit, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, qeveritë dhe shoqëria civile bashkohen për të bërë fushatë rreth temave specifike që lidhen me HIV. Aktivitete ndërgjegjësuese zhvillohen në mbarë globin. Shumë njerëz mbajnë një fjongo të kuqe, simbolin universal të ndërgjegjësimit, mbështetjes dhe solidaritetit me njerëzit që jetojnë me HIV.
Dita Botërore e SIDA-s mbetet po aq e rëndësishme sot sa ka qenë gjithmonë, duke u kujtuar njerëzve dhe qeverive se HIV nuk është zhdukur, raporton noa.al. Ekziston ende një nevojë kritike për rritjen e fondeve për përgjigjen ndaj SIDA-s, për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e HIV në jetën e njerëzve, për t’i dhënë fund stigmës dhe diskriminimit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve që jetojnë me HIV.
Në Shqipëri, infektimet nga HIV-AIDS këtë vit vijnë me një lajm fatkeqësisht të rëndë. Në mesin e 119 rasteve të reja që ISHP raporton deri në muajin nëntor 2024, 4 janë fëmijë të vegjël të infektuar në rrugë vertikale nga nëna tek fëmija. Në një intervistë për RTSH-në infeksionisti klinik Prof. Arjan Harxhi thotë se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mostestimit të nënave shtatzëna.
“Janë 4 raste të transmetimeve vertikale. Janë 4 fëmijë të vegjël të cilët janë diagnostikuar pas lindjes sepse nënat e tyre nuk janë testuar dhe nuk janë skrinuar para apo gjatë shtatzënisë që të arrihej të ndërhyhej me mjekime parandaluese”, tha Harxhi në intervistën që gjeni më poshtë:
Profesor, si jemi me situatën e infektimeve këtë vit? Si ka qenë trendi krahasuar me vitet e tjera dhe çfarë ju ka shqetësuar më shumë juve si mjekë?
“Nëse flasim për trend të viteve të fundit, bëhet fjalë për një numër pak a shumë stabël por që është i konsiderueshëm nëse i krahasojmë me vendet e rajonit . Shqipëria çdo vit raporton mbi 100 raste të reja. Konkretisht ISHP ka deklaruar se deri në nëntor kemi 119 raste të reja , që është një numër i konsiderueshëm nëse e krahasojmë me Maqedoninë e cila këtë vit ka 53 raste reja apo Kosovën që ka 29 raste të reja. Pra dukshëm shumë më tepër. Shqipëria ka incidencën më të lartë për numër banorësh, tregues ky i sjelljeve të rrezikshme në popullatë, pra një transmetueshmëri problematike të këtij virursi në popullatë sidomos në grupe të caktuara“
Pse po ndodh kjo?
“Pa dyshim kjo që shohim sot në popullatë është një tregues I sjelljeve të rrezikshme të disa viteve më përpara sepse shumica e rasteve diagnostikohen në stadin e sëmundjes. Pra , janë infektuar vite më përpara sepse shumica e rasteve që diagnostikohen sot , janë në stadin e sëmundjes AIDS. Janë infektuar vite më përpara. Pra është tregues i sjelljeve të rrezikshme të ndoshta një dekade. Por ka edhe trende të reja të infeksioneve seksualisht të transmetueshme siç është numri i shtuar i rasteve me Sifiliz apo infeksioneve të tjera IST të cilat tregojnë për trendet aktuale të sjelljeve të rrezikshme seksuale që janë shqetësuese. Për fat të keq këtë vit ne kemi edhe raste të transmetimit vertikal , nga nëna te fëmija , që gjithashtu është një çështje shqetësuese për shëndetin publik“
Sa fëmijë të infektuar kanë lindur këtë vit?
“Janë 4 raste të transmetimeve vertikale . Janë 4 fëmijë të vegjël të cilët janë diagnostikuar pas lindjes sepse nënat e tyre nuk janë testuar dhe nuk janë skrinuar para apo gjatë shtatzënisë që të arrihej të ndërhyhej me mjekime parandaluese”.
A është ky një alarm ?
“Pa dyshim që ky është një tregues që ne akoma kemi mangësi në lidhje me impelementimin e atij që quhej strategjia e parandalimit të transmetimit me rrugë vertikale , që do të thotë: skrinimi dhe testimi i gruas shtatzënë nuk është i shtrirë në të gjithë territorin. Pra aksesi ndaj testimit të gruas shtatzënë mbetet problematik”
Si e shikoni të ardhmen e afër duke patur parasysh edhe infektimet e shtuara me sifiliz?
“Unë mendoj që Shqipëria do të vazhdoj të ketë një trend të tillë të numrit të rasteve dhe kjo përbën një shqetësim për autoritet dhe ekspertët e shëndetit publik. Duhet ndërhyrë fuqishëm edhe me masa që ndikojnë në gjendjen aktuale , edhe me ato që mund të modifikojnë të ardhmen. Rritja e aksesit dhe skrinimit 100% i gruas shtatzënë duhet të jetë detyrë imperative për të çuar në zero infektimet nga transmetimi vertikal nga nëna te fëmija. Rritja e testimit , qoftë vullnetar qoftë përmes alternativave që ofron personeli shëndetësor, është mënyra më efektive sepse diagnostikon në kohë, ndërhyn në terapi dhe ul rrezikun e transmetueshmërisë. Pra edhe testimi është një fushatë. Padyshim, duke parë trendet sociologjike dhe të sjelljeve të shoqërisë, edhe fushatat ndërgjegjësuese duhet të jenë modern , të përshtatura sipas tipareve. Flasim për fushata në rrjetet sociale, për mënyra atraktive për të aksesuar grupet në risk por edhe moshat e reja”
A e shihni këtë rritje të sëmundshmërisë si pasojë e rritjes së fenomenit të turizmit seksual në vend, apo më shumë si rezultat i marrëdhënieve të rastësishme me shumë partnerë për shkak të sjelljeve çoroditëse?
“Pa dyshim që përgjigjja kësaj pyetje duhej të jepej falë studimeve. Duhet të ketë studime të mirëfillta shkencore epidemiologjike për të hetuar më tej mbi arsyet. Të gjitha çfarë përmendet ju qëndrojnë. Pra sjelljet e rrezikshme mund të lidhen me forma të tilla si ç mund të jenë turizmi seksual, përdorimi i rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme që lehtësojnë kontaktet me shumë partner apo të marrëdhënieve të rastësishme. Kjo duhet parë me studime. Sa përqind përdorin masa mbrojtëse, sa është aksesueshmëria e popullatës ndaj kondomit, pra të gjitha këto pyetje duan përgjigje.
Për shkak të rritjes së denoncimeve në media të ekzistencës së vatrave të prostitucionit në Shqipëri që menaxhohen nga vetë gratë ose burrat, a mendoni se duhet të kemi kontrolle të rrepta mbi punonjësit e seksit?
“Sigurisht, puna e seksit është nga problemet që rrit riskun e transmetimit te IST dhe HIV. Kur kjo realizohet “underground” pra ilegalisht, atëherë ne nuk kemi asnjë informacion se sa punonjëse apo qendra ofrojnë seks të mbrojtur, sa janë të kontrolluara me testime etj. Ne kemi modele në perëndim ku këto fenomene janë të kontrolluara dhe minimizohet në maksimum rreziku I infektimit, pra duhet të realizohet ajo që quhet ‘ndërhyrje e kufizimit të dëmit’ për të ulur rrezikun e transmetimit”
A ka një model rreziku I infektimeve në Shqipëri ?
“Modeli më i shpeshtë është I tillë: Epidemia e Hiv-Aids në Shqipëri është epidemi e meshkujve. Në mesin e 119 rasteve te reja , 80 janë meshkuj, pra ¾ janë meshkuj. Deklarojnë se shumica e tyre janë infektuar në rrugë hetero-seksuale edhe pse ne mendojmë që rruga homoseksuale është e nënraportuar për shkak të stigmës dhe diskriminimit dhe mosdeklarimit të orientimit seksual. Pa dyshim që ka edhe rritje të numrit të të rinjve”
A mendoni se kjo po ndikon në moskapjen në kohë të diagnozës?
“Ky është faktori kryesor .Ne kemi qenë pjesë e një studimi mbarëeuropian të OBSH dhe CDC në lidhje me stigmën dhe diskriminimin te personeli shëndetësor dhe ajo që është konstatuar është se fenomeni është shumë i përhapur dhe kjo bëhet shkak për frenimin e implementimit të procesit të testimit, përveç faktit të shkeljes flagrante të të drejtave të këtyre individëve me AIDS”
Si po funksionon terapia për këta të sëmurë?
Terapia për këtë kontigjent të sëmurësh fatmirësisht nuk është ndërprerë asnjëherë thonë mjekët por sipas tyre duhet të rishikohen protokollet e mjekimit të cilat aktualisht janë përmirësuar ndjeshëm. Aktualisht protokollet e mjekimit sot në vendin tonë janë të mbështetura në ato të OBSH por ato të Europës perëndimorë janë alternative më moderne. Për këtë duhet të rishikohen edhe modelet e prokurimit të barnave sepse akoma në Shqipëri këto barna nuk hyjnë në Listën e Barnave të rimbursueshme por prokurohen nga buxheti i shtetit me ndihmën e UNICHEF. Ndoshta duhen parë edhe mënyra të tjera për të rritur jo vetëm aksesin por edhe larmishmërinë e terapive moderne që faktikisht po përmirësohen shumë dita-ditës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd