Transmetuar më 06-09-2024, 13:25

Në ditën e kujtimit të 88-vjetorit të lindjes së aktorit Albert Vërria (1936-2015), Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi se premiera e variantit të restauruar të filmit “Kapedani”, do mbahet si pjesë e programit TIFF Classics të Tirana International Film Festival (TIFF).

Filmi do të shfaqet më 24 shtator 2024, në Kinema, me titra në anglisht. Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACEAssociation des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA. “Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spinoff i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. “Kapedani” mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”.

Në një material rreth filmit, AQSHF shprehet se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare.

“Një pjesë e arsyes për qarkullimin e vazhdueshëm të këtij filmi mbase është edhe fakti se “Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike.

Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushë beteje. Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike”, thuhet nga AQSHF.

PËRVJETORI

Më datën 3 shtator me një pasazh nga filmi “Kapedani”, Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, kujtoi sot me nderim dhe respekt, në ditën e tij të lindjes, Artistin e Popullit, aktorin e mirënjohur Albert Vërria. “Aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë shqiptare që sot janë ndër të preferuarat e gjithë dashamirësve të kinematografisë shqiptare”, shkroi MEKI dedikuar mjeshtrit Vërria. Lindi në Fier, më 3 shtator 1936 dhe u nda nga jeta në qytetin e Vlorës, më 17 gusht 2015.

Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, gjatë viteve 1956 – 1959 punoi si zooteknik. Përfundoi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) dhe në vitin 1963 u emërua aktor në Teatrin e Vlorës. Në Teatrin e Vlorës u angazhua në mbi 90 role ku spikat ai i Veipit tek “Familja e peshkatarit”. Albert Vërria njihet si aktor karakteresh dhe në kinematografi realizoi mbi 40 role, përfshirë xha Sulon tek “Kapedani” dhe i Nuri Beun tek “Koncert në vitin 36”, role të cilat mbeten të skalitura në kujtesën e publikut. Në vitin 1979, Albert Vërrisë iu dha titulli “Artist i Popullit”.

JETA

Albert Vërria lindi në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Vërria, një ndër 5 të parat që zbritën në Fier nga Voskopoja në vitin 1796 me djegien e parë të qytetit mesjetar me emër për kulturën shqiptare, të cilat shënuan nisjen e vizionomisë të qytetit Fierit, aso kohe fshat. Në Fier bëri shkollën fillore dhe të mesme dhe rrugës së artit i hyri që në vogëli, kur fëmijë, shkonte në Apolloni. Atje gërmonte me durim të jashtëzakonshëm profesor Hasan Ceka, që i mblidhte dy- tre fëmijë të vegjël dhe u tregonte për amfiteatrin dhe dramaturgjinë antike. Rolin e parë si fëmijë, ishte nga pjesa “Minçurini i vogël”, ku luajti personazhin e një djali të vogël me emrin Shulkë, të apasionuar pas botanistit të famshëm rus. Pasi mbaroi studimet e mesme për zoteknikë, Albert Vërria punoi si zooteknik për dy vjet në Kukës e më pas, u rikthye në Fier si pedagog në shkollën e kuadrove bujqësore, ku mjaft pedagogë të shkolluar jashtë vendit, me kulturë të mirë artistike, flisnin për operën, baletin, teatrin, ç’ka ndikoi tek ai për të mbajtur gjallë dëshirën e fshehur për artin.

Në 1959 kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Vërria ishte me punë në Berat, ku regjisori me emër, Viktor Stratobërdha, që nga drejtor i kinemasë, ishte dërguar me internim aty, e nxiti të ngjiste skenën, e ndihmoi në përgatitjen e monologëve dhe pantonimave të ndryshme. Konkurroi dhe fitoi studimet në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” (1959 – 1963) me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës, duke shënuar drejtimin përfundimtar të karrierës së Albert Vërrisë drejt teatrit dhe kinemasë. Që nga viti 1979, Albert Vërria mban titullin “Artist i Popullit”. Asnjëherë nuk e ndau dashurinë mes kinemasë dhe teatrit: “Teatri të jep kënaqësi se je në kontakt me spektatorin. Ndien buzëqeshjen e tyre, frymëmarrjen, emocioni është i drejtpërdrejtë.

Ndërsa kinematografia të jep popullaritet. Filmi transmetohet dhe ritransmetohet disa here”, kujtonte Albert Vërria. Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Vërria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Vërrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku.

AKTRIMI

Ishte vetëm 32 vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë. Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” [1973], “Soll Lili” tek “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël”-196, etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Vërria. Numërohen mbi 20 filma ku ai luajti role, që sot mbahen mend, qoftë dhe për një batutë të vetme, sepse Albert Vërria dinte t’i futej në lëkurë çdo roli për ta bërë madhështor dhe të paharrueshëm nga shikuesit.

Për artistin e madh, Albert Vërria pensioni nuk ishte asgjë, sepse moshën e kishte sfiduar me gjallërinë dhe pasionet, aq të shumta dhe jo vetëm për artin skenik. Gjithë filozofinë e jetës, fenomenet e saj, shfaqjet e sjelljeve, prej të cilave gjenden burimet e të mirës dhe të keqes, Albert Vërria iu dha jetë në disa libra filozofikë dhe gati mitikë. Në vitet e fundit ia doli të botojë dhe promovojë disa libra si “Rrëfim paradoksal”, “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, ndërsa i mbetën, për mungesë financimi, ende të pabotuar librat e tjerë si “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, “Fundi i pashmangshëm”. Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi të roleve, personazhet e interpretuar prej këtij mjeshtri të madh të aktrimit. Të gjitha personazhet i mblodhi në një biografi artistike, fiksuar në celuloid si një rrugëtim fotofilm me rolet.

Në 62 fotografi me përmasa të mëdha kalojnë rolet e paharruar të “Xha Sulos” te filmi “Kapedani”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Hiluku” tek “Operacioni zjarri”, etj, etj. “Arsyeja kryesore që më shtyu të hap këtë fotoekspozitë, nuk është vetëm që të ekspozoja krijimtarinë time, por nëpërmjet këtyre fotove t’u kujtoj artdashësve shqiptarë, kudo ku janë, filmat ku kemi luajtur dhe vazhdojmë të luajmë sot e kësaj dite”, shprehej në përurimin e parë të ekspozitës tek Galeria “Zenit” në Tiranë vite më parë Albert Vërria. E hapi ekspozitën si një homazh artistëve të mëdhenj të skenës dhe artit shqiptar, që nuk jetojnë më, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Naim Frashëri, Kujtim Spahivogli, Violeta Manushi, etj, me të cilët luajti në filma të ndryshëm.

FILMI

Filmi “Kapedani” prodhim i vitit 1972 nga regjisori Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi, Skenari: Skënder Plasari, Producent: Shqipëria e Re, Muzika: Tahsim Hoshafi. Kapedani është prodhuar në vitin 1972 nga Kinostudio “Shqipëria e re”. Interpretojnë aktorë të njohur si Albert Vërria me rolin (xha Sulo), Nikolin Xhoja me rolin (xha Beqo), Flora Mërtiri me rolin (Kryetarja), Robert Ndrenika me rolin (djali i xha Sulos), Lazer Filipi me rolin (shoku Ropi) etj. Në fshat në krye të kooperativës po komandon një grua dhe xha Sulo i ankohet për këtë shokut të tij Beqo. Kështu fillojnë situatat komike. Ai vendos të kërkojë “të drejtat” e tij në Tiranë ku miku i tij Ropi punon në një post të rëndësishëm.

Por xha Sulo gjen në Tiranë jo vetëm nusen e tij balerinë, por edhe Beqon bashkë me të cilin zbulon se është i rrethuar nga bota e grave. Xha Suloja e ka të vështirë të pranojë ta urdhërojë një grua. Kulmi arrin kur kryetarja e kooperativës gjatë një alarmi natën e cakton të kujdeset për kotecin e pulave. Xha Suloja revoltohet: Një burrë me goxha mustaqe të merret me pulat! Dhe e braktis detyrën… Por të nesërmen, merr vesh se organizata e partisë i ka vënë fletërrufe. Ai e heq fletërrufenë dhe kjo bëhet shkas i një konflikti më të madh. Xha Suloja kërkon të drejtën. Vendos t’i drejtohet ish-komisarit të dikurshëm. Ai është funksionar partie në kryeqytet. Niset. Atje ai ka të birin oficer. Rrugës sheh gra shofere, faturino, mjeke. Këto nuk i pëlqejnë.

Ish-komisarin e gjen në punë fizike, por ç’të shoh?! Ky funksionar i bindet një gruaje brigadiere! Do që të bisedojë me komisarin, por heq dorë. Fillon të mendohet dhe nis rrugën e kthimit në kooperative me të tjera mendime. Dikush i propozon te pres mustaqet e gjata se ato ja kanë fajin. “Kapedani është njeriu më i sinqertë dhe i vërtetë i gjithë ngjarjes. Fill pas konstatimit të Tiranës “hipermoderne” ai nuk mbyll sytë, nuk thotë nuk di asgjë dhe as nuk kthehet në fshatin e tij nën hijen e kokës gjysmë ulur, siç do vepronte një hipokrit. Kapedani skandalizohet aq shumë nga faktet e reja të dijes sa sëmuret në trup e mendje. Beqoja, nga ana e tij, është një hap para Sulos, por ende i pavendosur për rrugën që duhet të marrë. Vlerëson marrëdhënien me mikun e tij bashkëfshatar, epopetë e së kaluarës, por herë largohet nga frika e pasojave të veprimeve të Sulos, të cilat mund të bien dhe mbi të, e herë afrohet kur ka nevojë për një kapedan, për një udhëheqës të momentit.

Beqoja shfaqet më inteligjent sipas konceptit të inteligjencës përfituese/oportuniste, prandaj mbijeton më lehtë, pa vuajtur shtrëngesat shoqërore. Shtresa shoqërore që ndodhet te Suloja është e destinuar të vdesë, të shuhet ose të reformohet, kurse ajo e Beqos përfaqëson pjesën më të madhe të shqiptarit nën totalitarizëm, tej mase realist për t’iu përshtatur situatave sipas një arsyeje dhe mendësie pragmatiste. Është xha Suloja ai që pëson përsiatjet psikologjike të pushtetit të ri, është ai që sëmuret, neurotiku, i forti, i cili zbutet dhe nënshtrohet me hir e me pahir, për t’iu afruar kështu mediokritetit mesatarizues të turmës dhe atij të Beqos.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit