Magazinë
Transmetuar më 05-04-2025, 09:50

Ardhja e Igor Tudor ka rikthyer buzëqeshjen te Dusan Vlahovic, i cili kundër Genoa luajti titullar me fanellën e Juventusit. Nuk ishte një paraqitje për t’u mbajtur mend, por ndjesia është se deri në fund të sezonit, sulmuesi serb do të jetë gjithmonë në fushë.

Nga njëra anë, trajneri kroat beson në aftësitë e tij, ndërsa nga ana tjetër, klubi nuk mund të lejojë që vlera e tij në merkato të bjerë. E “përkthyer”, kjo do të thotë se në verë, ish-sulmuesi i Fiorentinës do të largohet për ofertën më të mirë.

Arsenali dhe Newcastle janë dy klubet angleze që deri tani kanë bërë vetëm “sondazhe” indirekte, por mbetet për t’u parë nëse do të kalojnë në veprime konkrete. Një marrëdhënie nga e cila duhet të përfitojë të dyja palët. Si Juve, ashtu edhe Vlahovic kanë nevojë të përfitojnë nga situata aktuale, jo vetëm tani, por edhe në tregun e verës.

Nëse serbi nuk pranon të ulë rrogën për një rinovim të mundshëm, siç ka refuzuar deri tani, do të dalë në merkato me një vit kontratë të mbetur. Megjithatë, asnjëra palë nuk mund ta përballojë një përplasje të hapur në fund të këtij raporti plot ulje-ngritje. Prandaj, ajo që po ndodh tani është një lloj "armëpushimi" i detyruar.

Nëse largimi i Vlahovic duket i sigurt, më e paqartë është se kush do të vijë në vend të tij. Largimi i Thiago Motta nga planet e Juventusit ka larguar edhe mundësinë e transferimit të Kolo Muani, por gjithçka do të varet nga një faktor: kualifikimi në Champions League. Çdo lëvizje në merkato do të varet nga një vend mes katër të parave në Serie A, duke përfshirë edhe përforcimin në sulm.

Nuk është sekret që Cristiano Giuntoli është një admirues i madh i Victor Osimhen. Drejtuesi i Juventusit ka kontaktuar tashmë me përfaqësuesit e sulmuesit nigerian, aktualisht i huazuar nga Napoli te Galatasaray.

De Laurentiis ka vendosur një klauzolë prej 75 milionë eurosh për shitjen jashtë Italisë, por deri tani askush nuk e ka aktivizuar. Juventusi mbetet në pritje, me shpresën se do të ketë mundësinë të bëjë një lëvizje. Gjithçka varet nga Champions League dhe Vlahovic.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit