Magazinë
Transmetuar më 03-04-2025, 10:33

Në Argjentinë vazhdon procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Sipas mediave lokale, ekspertët që morën pjesë në autopsinë e legjendës argjentinase të futbollit, të cilët dëshmuan në gjyqin kundër 7 punonjësve shëndetësorë të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, kanë deklaruar se Maradona, i ndarë nga jeta më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, kishte një zemër anormalisht të madhe, vuante nga ciroza dhe nuk kishte asnjë gjurmë alkooli apo droge në trupin e tij në momentin e vdekjes.

Sipas raportimeve nga mediat e Amerikës së Jugut, eksperti mjeko-ligjor Alejandro Ezequiel Vega ka deklaruar në gjykatë se zemra e Maradonës ishte "e zmadhuar" dhe peshonte rreth 503 gramë, ndërsa pesha mesatare varion nga 250 deri në 300 gramë. Vega ka shpjeguar se ekzaminimi ka treguar se ish-kampioni vuante nga një "ishemi e zgjatur", me "mungesë të qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit". Autopsia ka konkluduar se Maradona ndërroi jetë për shkak të një edeme pulmonare akute si pasojë e insuficiencës kardiake kongjestive.

Legjenda argjentinase ndërroi jetë në një shtëpi në periferinë e Buenos Airesit, disa ditë pasi iu nënshtrua operacionit për një hematomë të formuar midis kafkës dhe trurit. Sipas akuzës, 7 profesionistët e shëndetësisë të përfshirë në këtë rast, një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, mjekë dhe infermierë, nuk i ofruan kujdesin e duhur, gjë që mund të ketë kontribuar në vdekjen e tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit