Magazinë
Transmetuar më 02-04-2025, 18:37

Romë, 2 Prill 2025 – Universiteti i Romës La Sapienza ka shprehur ngushëllime për humbjen tragjike të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u gjet e vrarë në një zonë të pyllëzuar në Poli, Itali. Ajo u vra me thikë nga i dashuri i saj, Mark Samson. Universiteti e ka cilësuar vrasjen e saj si një krim të tmerrshëm dhe ka njoftuar organizimin e një homazhi sot në orën 18:30, ku studentët dhe stafi mund të sjellin lule në Ndërtesën e Statistikave, ku studionte e ndjera.

“Fatkeqësisht, Ilaria u gjet e pajetë: një krim i tmerrshëm dhe brutal që na lë pa fjalë dhe me zemra të thyera. Në këtë moment dhimbjeje, ne jemi me familjen e studentes sonë, të dashurit e saj më të afër dhe të gjithë komunitetin studentor të Sapienzës, i cili ditët e fundit u bashkua në një kërkim të dëshpëruar për të. Më 2 prill, të mërkurën, në orën 18:30, për të kujtuar Laria Sula, kushdo mund të sjellë një lule në Ndërtesën e Statistikave,” thuhet në deklaratën e universitetit.

Ilaria Sula ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë. Trupi i saj u gjet në një valixhe të hedhur në një humnerë, ndërsa hetuesit dhe zjarrfikësit punuan për nxjerrjen e saj nga vendngjarja. Mark Samson, 23-vjeçari filipinas me të cilin Ilaria kishte një lidhje, u arrestua dhe pranoi vrasjen. Ai dyshohet se e ka goditur me thikë në apartamentin e tij, më pas e ka vendosur trupin e saj në një valixhe dhe ka tentuar ta fshehë. Ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit