Magazinë
Transmetuar më 02-04-2025, 16:56

Policia e Shtetit, pjesë e operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Stream”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve, në internet.

Në operacion morën pjesë agjencitë ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit.

Operacioni ndërkombëtar “Stream” u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe nga Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), dhe u mbështet nga EUROPOL.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe EUROPOL, se dhe një shtetas shqiptar ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale, i ka referuar materialet procedurale Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedim për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, u mundësua identifikimi i të dyshuarit, shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e kontrolleve në banesën e 29-vjeçarit, ku u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop.

Paisjet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime kompjuterike të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, në vendin tonë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit