Magazinë
Transmetuar më 31-03-2025, 15:29

Kapen me 63 kg drogë në kufi me Greqinë – Në pranga çifti nga Fieri

Kakavijë – Operacioni policor i koduar "Modifikimi" ka çuar në pranga dy shtetas nga Fieri, Osman Kamberaj dhe Enkeleda Xhemali, të cilët tentuan të trafikojnë një sasi të madhe droge drejt Greqisë, përmes Pikës Kufitare Kakavijë.

Policia Kufitare, pas kontrolleve të shtuara dhe inteligjencës policore, arriti të parandalojë trafikun e 63.2 kilogramëve Cannabis Sativa, të ndara në 60 pako, të cilat ishin fshehur në mënyrë profesionale në parafangot dhe shasinë e automjetit me të cilin udhëtonin të dy personat.

Në pranga ka rënë drejtuesi i automjetit, O. K., 44 vjeç, dhe pasagjerja E. Xh., 45 vjeçe, të dy banues në Fier. Gjatë kontrollit fizik, atyre iu gjetën edhe 1890 euro, ndërsa si provë materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe tre celularë.

Operacioni u krye në bashkëpunim mes DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe Prokurorisë së Gjirokastrës. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin kriminal, raporton noa.al.

Të arrestuarit do të përballen me akuzën për "Trafikim të lëndëve narkotike", kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit