Magazinë
Transmetuar më 28-03-2025, 21:41

Fiks Fare vijoi të denoncojë skandalet te Shkolla e Magjistraturës, e cila përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm.

Djali i një pedagoge të brendshme të Shkollës së Magjistraturës, i pranuar në mënyrë të dyshimtë nga kjo shkollë për shkak të konfliktit të pastër të interesit, dyshohet se ka kopjuar në provimin e datës 30 qershor 2024. Emisioni investigativ ka siguruar një tjetër video, ku duket kandidati për t’u bërë gjyqtar i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë, teksa lëviz lirisht në një ditë provimi.

Investigimi i ri vjen pas transmetimit të problematikës në datën 10 mars 2025, ku Fiksi denoncoi ekskluzivisht me video ditën e një provimi. Kandidatët lëviznin lirisht, duke hyrë dhe dalë nga salla e provimit, teksa në korridoret e Shkollës së Magjistraturës ishin publikuar edhe përgjigjet e pyetjeve të provimit!

Ndërkohë, disa ditë më pas, Fiksi ka siguruar të tjera video, ku duken të tjerë kandidatë për gjyqtar dhe prokurorë duke bërë të njëjta veprime. Ankesa konsiston se në datat 30 qershor dhe 1 korrik 2024 janë bërë dy provime të kandidatëve të vitit akademik 2023-2024.

Sërish e njëjta skemë, ku në përfundim të orës së rregullt, kandidatët kanë dalë nga sallat ku zhvillonin provimin dhe janë nxjerrë në korridor. Ata kanë pasur liri të lëvizin nëpër korridoret e shkollës dhe pastaj kanë hyrë nëpër salla, janë ulur në kompjuterët e tyre për të printuar tezën. Nga kamerat e vëna nëpër salla janë vënë re shumë sjellje të parregullta, të cilët pasi kanë parë çelësin e zgjidhjes, janë munduar të rregullojnë sa mundet përgjigjet e tyre të hartuara më parë.

Fiksi analizoi pamjet e sallës numër 5, të datës 30 qershor 2024. Në ato pamje, kandidatja K.Z. duket se vijon të shkruajë qetësisht edhe pas përfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë të provimit deri në orën 10 e 50 minuta, kohë kur kandidatët e tjerë ishin që të dilnin nga salla. Ajo largohet nga salla dhe u rikthye në orën 11 e 5 minuta.

Një tjetër kandidate, I.V., ishte ulur në një cep të kësaj salle. Në pamje duket se ajo ngrihet nga vendi, kur kandidatët e tjerë akoma po shkruanin dhe nuk kishte mbaruar koha e provimit. Ajo ngrihet pa e printuar tezën me përgjigjet dhe largohet nga salla. Normalisht, nëse do kishte mbaruar së punuari tezën e saj, duhet që ta kishte printuar dhe pastaj të largohej nga salla, gjë që rezulton se nuk e ka bërë. Është kthyer në sallë më vonë dhe është ulur në vendin e saj dhe ka filluar të shkruajë. Ndërkohë, kandidatja M.K. ka dalë nga salla në orën 10:42 dhe është kryer përsëri në sallë në orën 11:08. Vepron në kompjuter dhe shihet që modifikon tezën e saj.

Sipas denoncimit, probleme ka pasur edhe në sallën numër 4 të shkollës, ku disa kandidatë kanë qenë më të privilegjuar se të tjerët. Ata kanë hyrë dhe dalë nga salla e provimit. Denoncimi vijon se, edhe në datën 1 korrik 2024, është bërë provimi në sallën numër 3. Sipas tij, kandidati E.S “nuk ka shkruar pothuajse asnjë moment në kompjuter”. Denoncuesi kërkon që të bëhen verifikimet e duhura lidhur me zhvillimin e provimit të këtij kandidati.

Në redaksinë e Fiks Fare ka mbërritur edhe informacioni, i shoqëruar me video, të një tjetër kandidati për gjyqtar. Pamje që analizoi emisioni investigativ ishin nga salla numër 5, të datën 30 qershor të vitit 2024. Në atë datë u zhvilluan dy provime “e drejtë penale dhe e drejtë procedurale penale” si dhe “e drejtë civile dhe e drejtë procedurale civile”. Provimet janë zhvilluar në kompjuter, ku janë dhe pamjet e kandidatëve të vitit 2023-2024.

Një kandidat për t’u bërë gjyqtar, që jepte provim në këtë sallë, ishte A.M. Sipas pamjeve, në orën 10 e 43 minuta, ai ka printuar tezën e punuar prej tij. Ai e fut në zarf dhe largohet nga salla. Kthehet përsëri në sallë. Ulet në vendin e tij dhe fillon të shkruajë. Në orën 11 e 5 minuta i jep zarfin me tezën, tashmë të printuar, një monitoruese në sallë. Monitoruesja, e gris, dhe ai e printon përsëri, duke e futur në një zarf të ri!

Kush është kandidati për gjyqtar A.M.?!

Fiks Fare ka ndjekur edhe më parë problemin e këtij kandidati. Në vitin 2021, mbërritën ankesa në emisionin investigativ se po përgatitej terreni që A.M të shpallej fitues pa u bërë provimi! Kjo në kundërshtim me ligjin, pasi nëna e tij A.M. është pedagoge e brendshme e Shkollës së Magjistraturës. Në atë kohë, Magjistratura i ktheu përgjigje Fiksit se kandidati ishte përjashtuar pasi kishte nënën pedagoge të brendshme.

Fiksi e pyeti Magjistraturën në vitin 2021 nëse pedagogia A.M ishte pjesë e hartimit të pyetjeve apo në komisionin e vlerësimit të kandidatëve. “Zonja A.M., pedagoge e brendshme, nuk është pjesë e hartimit të pyetjeve të provimit, si dhe nuk është pjesë e komisionit të vlerësimit. Tezat e provimit të pranimit në Shkollë formohen në sallën ku provimi mbahet” tha Magjistratura.

Por, në rregulloren e Shkollës së Magjistraturës, përcaktohet se nuk lejohet të kandidojnë të afërm të stafit të Shkollës së Magjistraturës në provimin e pranimit fillestar për magjistratë. Fiksi e pyeti Magjistraturën nëse z. A.M. ishte në listën përfundimtare të kandidatëve për magjistratë në vitin 2021-2022. “Përsa i përket thelbit të interesimit tuaj rreth aplikantit A. M, ju bëjmë me dije se zotëria në fjalë ka aplikuar të konkurrojë për të fituar një vend në vendet e hapura nga Këshilli Gjyqësor për detyrën e gjyqtarit. Komisioni i vlerësimit të kandidaturave të Shkollës së Magjistraturës e ka skualifikuar ngaqë është konsideruar person i lidhur me një pedagog të brendshëm, e për rrjedhojë, nuk mund të marrë pjesë në provimin e pranimit”.

Vetë Shkolla thotë se rregullorja nuk lejon konkurrimin për të fituar një vend në vakancat për gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë apo ndihmës ligjor të një kandidati kur ai ka lidhje të afërt familjare me një person të personelit administrativ të brendshëm të saj, si dhe vetë personel administrativ të Shkollës, kur ata punojnë në Shkollë apo janë shkëputur prej saj për një periudhë deri në një vit nga koha e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së tyre.

“Qëndrimi i Komisionit është mbështetur dhe pranuar nga vendimi i Këshillit Drejtues të Shkollës në mbledhjen e datës 15 prill 2021 dhe, ka konfirmuar që zotëria në fjalë nuk është pjesë e listës së konfirmuar të kandidatëve. Shkolla e Magjistraturës ka çmuar qenien e konfliktit të interesit, duke vijuar me skualifikimin e aplikantit” thuhej në përgjigje.

Por, si u bë më pas kandidat?!

Fiksi ka mësuar se dy vite më vonë, A.M. ka fituar të drejtën për magjistratë në vitin akademik 2023-2024. Emri i tij është në listat e vetë Shkollës dhe aktualisht është në vitin e dytë. Në të njëjtën kohë, edhe nëna e tij vijon te jetë pedagoge e brendshme e Shkollës së Magjistraturës!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit