Magazinë
Transmetuar më 27-03-2025, 21:28

TIRANË – Policia ka reaguar në lidhje me riatdhesimin e 19-vjeçarit nga Sierra Leone në Shqipëri. Policia bën me dije se nëna e të riut pretendonte se 19-vjeçari ishte rrëmbyer dhe më pas kishte arritur të shpëtonte duke shkuar në stacionin e policisë së këtij qyteti.

Policia thotë se 19 vjeçari është gjetur në gjendje të rënduar emocionale dhe në bashkëpunim me forcat e policisë së kontinetit afrikan si dhe Interpolit, është bërë i mundur riatdhesimi i tij në Shqipëri. Policia shton se 19-vjeçari është kthyer në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet me sukses operacioni i ndihmës dhe riatdhesimit nga Sierra Leone drejt Shqipërisë i një 19 vjeçari. Policia e Shtetit, pasi mori në rrugë elektronike nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkesën e një shtetaseje që kërkonte ndihmë nga shteti për kthimin e të birit në Shqipëri, e cila pretendonte se djali i saj 19 vjeçar, ishte rrëmbyer në qytetin Freetoën, Sierra Leone, dhe më pas kishte arritur të shpëtonte duke shkuar në stacionin e policisë së këtij qyteti.

Bazuar në informacionin e marrë nga komunikimi mes MEPJ-së dhe Policisë së Shtetit, rezultonte se 19 vjeçari ndodhej në gjendje të rënduar emocionale dhe për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri, ishte e nevojshme ndërhyrja e oficerëve të specializuar të Policisë së Shtetit për ta shoqëruar nga qyteti Freetoën në Tiranë.

Menjëherë, Policia e Shtetit organizoi punën për dërgimin e punonjësve të Policisë (nga Interpol Tirana dhe nga Reparti Special RENEA) në Sierra Leone, me qëllim shoqërimin e 19 vjeçarit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për procedurat e pajisjes me vizë hyrëse dhe me oficerin e kontaktit të Policisë së Shtetit të atashuar pranë

Ambasadës shqiptare në Londër/Mbretëria e Bashkuar. Interpol Tirana koordinoi gjithashtu me Interpol Freetoën për kthimin sa më të shpejtë të 19 vjeçarit në Shqipëri.

Oficerët e Policisë së Shtetit udhëtuan drejt Sierra Leone, ku zhvilluan takim me përfaqësues të Interpol Freetoën, dhe pas koordinimit të nevojshëm, u mundësua udhëtimi i 19 vjeçarit drejt Shqipërisë, i cili është realizuar pa asnjë problem.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit