

Duke filluar nga data 1 Shkurt 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” për autoveturat me prim të reduktuar 50 euro, me afat 1 vjeçar. Deri sot per te hyre ne Malin e Zi vlente siguracioni i prere ne kufi, tek pala malazeze, per 15 euro, e vlefshme 15 dite, ose 40 euro minimumi, e vlefshme dhe ajo per 15 dite, qe mund te pritej kudo ne Shqiperi.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), për marrjen e masave të ndërmjetme me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndërmori një proces konsultimi dhe koordinimi me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) për marrjen e këtij vendimi.
Bazuar në vendimin e BSHS, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit, e cila mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi.
Polica e sigurimit mund të blihet në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit, Hanit të Hotit, Grabomit dhe Vermosh.
Edona Bilali, deputete e Kuvendit, qarku Shkodër dhe ish Ministre Shteti për Sipërmarrjen tha "Ma në fund zgjidhëm kartonin jeshil me Malin e Zi. Një shqetesim i shkodranëve dhe një angazhim publik i marrë nga unë prej gati dy vitesh gjeti më në fund zgjidhje.
Kush përfiton kjo? – Çdokush bën rrugën për arsye pune e lidhjesh sociale. Kush ishte zgjidhja finale? – Pas disa përpjekjesh edhe me institucionet homologe të Malit të Zi zgjidhja është një policë e dizenjuar enkas mes Shqipërisë e Malit të Zi, me çmim të reduktuar."
Kartoni Jeshil është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit. Kjo masë lehtësuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike ndërkufitare me Malin të Zi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd