Magazinë
Transmetuar më 25-01-2025, 08:20

Dinamo City luan të shtunën, prej orës 16:30, derbin me Partizanin, i vlefshëm për javën e 22-të të Superiores. Dinamo City dhe Partizani kryesojnë renditjen e Superiores me nga 37 pikë, pas 21 javësh, aq sa ka edhe Vllaznia e vendit të 3-të. Përpara kësaj sfide ka folur trajneri Ilir Daja, i cili mes të tjerash ka theksuar:

“Është ndeshje mes të barabartësh. Përveçse në derbi nuk ka rëndësi se si je në tabelën e klasifikimit dhe çfarë problemesh ke, kësaj radhe jemi edhe me pikë të barabarta. Jemi bashkëkryesues. Partizanit i kanë ikur disa lojtarë periudhën e fundit, por edhe ne kemi disa mungesa për arsye shëndetësore, kështu që them se luhet midis dy ekipeve të barabarta në çdo drejtim.

Te Partizani po luajnë thuajse të gjithë ata lojtarë që ishin në ekip më parë. Sigurisht, Cara, Rrapaj, Hadroj dhe Mba ishin pjesë e rëndësishme e formacionit të kuq dhe me elementë të mirë individualë, ndaj do kohë që të zëvendësohen.

Lufta e katërshes së parë për kreun do të vazhdojë deri në fund, kështu është formula. Asnjë ekip nuk ka hequr dorë nga objektivat e veta, ka shumë pikë në lojë, ndërsa ne do të mundohemi të vazhdojmë atë ecuri pozitive që kemi pasur.

Nuk ka eufori te Dinamo, nuk kishte as në Ballsh, ku ekipi luajti futboll, por pjesë e tij është edhe fati. Ashtu siç e kemi pasur në krahun tonë, atë ditë fati nuk ishte me ne. Kemi mungesa të rëndësishme, do të shohim me zëvendësimet si do ta përballojmë.

Edhe Bregu nuk e ka kapur formën pas dëmtimit. Do të luftojmë në derbi, do t’i mëshojmë manovrës tonë, me ndonjë ndryshim brenda lojës. Në referencë kemi marrë Partizanin e 2025-ës, e kemi parë kundërshtarin.

Kemi sulmin më të mirë, pas Vllaznisë me një gol më shumë, por edhe Partizani ka mbrojtjen më të mirë. Nuk është betejë e shkëputur mes sulmit dhe mbrojtjes, por e mënyrës si do të veprojnë dy ekipet.

Merkatoja? Kemi qenë aktivë për të parë se cilët mund të jenë lojtarët që duhet të afrohen te Dinamo. Kemi emi një grup me cilësi dhe të konsoliduar. Nuk kemi gjetur ndonjë lojtar që të jetë të paktën në nivel me ata që kemi”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit