Magazinë
Transmetuar më 18-01-2025, 12:49

SHBA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndaluar ambasadorin Shqiptar në SHBA, Ervin Bushati që të marrë pjesë të hënën në ceremoninë inauguruese të Presidentit Donald Trump. Bëhet me dije se ministria e Jashtme e ka deklaruar këtë aktivitet pranë KQZ-së, sipas detyrimit që ka çdo institucion që nga 11 janari në 11 maj, në mënyrë që asnjë të mos i përdorë postet publike për avantazhe elektorale. Nga ana tjetër, KQZ e ka cilësuar si të ndaluar këtë aktivitet për ambasadorin sepse raportimi nuk është bërë përpara 5 ditëve siç e kërkon ligji, por vetëm 3 ditë para.

Ditën e djeshme u raportua se fjalimi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump më 20 janar do të mbahet në ambiente të mbyllura për shkak të motit të ftohtë që parashikohet javën e ardhshme në Uashington. Fjalimi, i presidentit dhe fjalimet e tjera, tani do të zhvillohen brenda rotondës së Kapitolit të SHBA-së dhe jo jashtë ndërtesës.

Parada inauguruese do të mbahet gjithashtu në ambientet e mbyllura në Capitol One Arena të Uashingtonit, së bashku me të tre ballot inauguruese. Presidenti i fundit që u betua në ambiente të mbyllura ishte Ronald Reagan në 1985, kur moti i ftohtë rrënoi edhe Kapitolin e SHBA. Në një deklaratë të postuar në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump tha se ai nuk dëshiron të shohë njerëz të lënduar në asnjë mënyrë mes temperaturave të ngrira.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit