Transmetuar më 18-12-2024, 21:27

Pas aktit normativ të buxhetit që i hapte rrugën këtyre transfertave, shumat janë reflektuar në llogaritë përkatëse të bizneseve.

Tatimet kanë nisur sot rimbursimin e të gjithë atyre profesionistëve të lirë që kishin paguar këstet e tatimit mbi fitimin në fillim të këtij viti. Pas aktit normativ të buxhetit që i hapte rrugën këtyre transfertave, shumat janë reflektuar në llogaritë përkatëse të bizneseve.

Drejtoresha e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta thotë: “Rimbursimi i kësteve të parapaguara nga tatim-paguesit, ofruesit e shërbimeve profesionale kanë nisur ditën e sotme. Akti normativ parashikonte datën 30 dhjetor si afat të fundit për finalizimin e procesit. Pas gjithë masave të marra, u sigurua që ditën e sotme pothuajse 90% të tatim-paguesve të vijojë me përcjelljen e shumave të parapaguara për rimbursim në llogaritë e tyre bankare”.

Pagesat janë kryer sot për 8,137 profesionistë të lirë që e kishin llogarinë bankare të regjistruar në e-filing, ndërsa për pjesën tjetër prej afërsisht 900 subjektesh pritet ende plotësimi i këtyre të dhënave.

“Akti normativ e përcakton që pagesat do të rimbursohen në llogaritë bankare të tatim-paguesve, për ne është e rëndësishme që t’i kemi këto të dhëna për të kryer këtë proces… ta kryejmë këtë proces që brenda vitit ta mbyllim këtë proces”, shton Çelmeta.

Por çfarë me ata që nuk arrijnë të plotësojnë të dhënat brenda 31 Dhjetorit?

“Asnjë tatim-paguesi nuk i humbet e drejta për të kredituar shumat që ka parapaguar sepse do të jenë drejtoritë rajonale që nga janari e në vijim do të vijojë me trajtimin e të gjitha rasteve dhe kompensimin e shumave të parapaguara”.

Profesionet e lira, ku përfshihen juristë, ekonomistë, profesionistë të IT, inxhinierë, etj. u përfshinë në fillim të vitit në listën e bizneseve që duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin. Një vendim i cili u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, duke rikthyer tatimin zero.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit