Transmetuar më 06-04-2025, 11:45

Vlorë: Inxhinier ndërtimi arrestohet për ndotje të detit në Palasë

VLORË – Një ndotje serioze e detit është konstatuar në gjirin e Dhralesë, një ndër zonat më të pastra dhe të frekuentuara turistike të bregdetit të jugut, ku dyshohet se janë derdhur ujëra me përbërje të panjohur, të ardhura nga një kantier ndërtimi në zonën e Palasës.

Për pasojë, një 45-vjeçar nga Tirana, inxhinier teknik i firmës ndërtuese që po zhvillonte punime në këtë zonë, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Himarës.

Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, më datë 5 prill 2025, inxhinieri I. N. dyshohet se ka lejuar derdhjen në mënyrë të pakontrolluar të këtyre ujërave ndotëse në det, duke shkaktuar pasoja të rënda për ekosistemin detar dhe ekuilibrin ekologjik të gjithë zonës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë kanë kryer hetime të shpejta dhe pas verifikimeve fillestare, kanë vendosur arrestimin e tij në flagrancë.

Autoritetet thonë se kjo është një nga ngjarjet më të rënda mjedisore në zonën e Palasës vitet e fundit, sidomos në një kohë kur po rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit dhe për ndikimin e ndërtimit të shfrenuar në vijën bregdetare.

Materialet për këtë rast janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, pritet të kryhen analiza të ujërave të ndotura dhe hetimet do të vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të firmës ndërtuese dhe nëse janë shkelur normat mjedisore ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit