Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian që mbahet në Bruksel të martën me 17 Dhjetor. Bëhet fjalë për grupkapitullin e 6-të që përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes.
Sipas burimeve diplomatike në kryeqytetin belg grupkapitulli për politikën e jashtme do të finalizohet në një kohë të shkurtër pasi vendi ynë ka treguar vullnet maksimal për të njëhësuar vendimmarrjen me Brukselin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë si dhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.
Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksenburg më 15 Tetor, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Në këtë ritëm të shpejtë në negociata vlerësohet roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë si SPAK-u në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Rama synon që procesi i negociatave të përfundojë në 2027, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
Të mërkurën Rama do të ulet së bashku me liderët e tjerë të rajonit në tryezen e samitit me 27 homologët e BE-së eventi i parë i kryesuar nga presidenti i ri i KE Antonio Costa e po ashtu komisionerja e re për zgjerimin Marta Kos.
Klan News
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd