Transmetuar më 11-12-2024, 20:28

Kompania “Lufra” iu dhuron nxënësve të Qendrës Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë në Tiranë një laborator IT, për t’u ofruar mundësi në zhvillimin e aftësive të tyre në programim.

Në eventin e organizuar për përurimin e këtij laboratori u prezantua edhe fushata “Për një jetë plot të mira”, që kompania ua kushton këtyre fëmijëve dhe misionit të saj në mbështetje të njerëzve në nevojë.

Në përurim, të pranishëm ishin drejtoresha e “Qendrës Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë” në Tiranë, Orjola Idrizi, si dhe administratorët e kompanisë “Lufra”, Luis dhe Franc Ndreka.

Drejtoresha Idrizi shprehu mirënjohjen e saj për këtë laborator kaq të rëndësishëm e të domosdoshëm për nxënësit që nuk dëgjojnë si dhe për vëmendjen që kompania Lufra po tregon ndaj këtyre të rinjve.

“Faleminderit që na u gjendët pranë në një moment kur ne kishim shumë nevojë për ju. Qendra Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë” ka si mision edukimin dhe arsimimin e nxënësve që nuk dëgjojnë në të gjithë Shqipërinë. Është kënaqësi e veçantë kur kompani prestigjioze si “Lufra” na gjendet afër dhe na ndihmon që t’i bëjmë realitet talentet dhe ëndrrat e këtyre fëmijëve.

Unë dua t’ju falenderoj për fushatën tuaj ndërgjegjësuese, në qendër të së cilës është një fëmijë që nuk dëgjon, do të përçojë tek shoqëria një mesazh shumë domethënës.

Shoqëria jonë ka nevojë për këto mesazhe të forta, që të kuptojë se këta fëmijë janë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë të drejtë të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të zhvillojnë një jetë normale si gjithë të tjerët.

Dua t’ju falenderoj edhe që bëtë të mundur realizimin e laboratorit të teknologjisë, që është shumë i domosdoshëm për ne, pasi arsimi i mesëm i lartë pranë “Qendrës Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë” është i orientuar në teknologji dhe TIK.

Ne në qendër kemi një moto: ‘Ne nuk dëgjojmë me vesh, por dëgjojmë me zemër’. Kështu që me gjithë zemër ju falenderoj pafundësisht për të gjitha mundësitë që na keni dhënë.” na ”, u shpreh Orjola Idrizi, drejtoreshë e qendrës.

Ndërsa administratori i përgjithshëm i kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka, tha se ishte i befasuar nga dashuria e mikpritja, por edhe talenti i nxënësve të kësaj shkolle.

“Ne e dimë që ju keni shumë pasione dhe ëndrra dhe këto bëhen më të lehta kur ka mbështetje. Çdo njeri në jetë ka nevojë për dikë që e mbështet. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot për t’ju siguruar që jemi pranë jush, dhe jo vetëm për t’ju mbështetur, por për t’ju zhvilluar dhe për t’ju ndihmuar të bëheni të zotët e vetes. Kjo është diçka që besojmë shumë te Lufra dhe më bëri shumë përshtypje kur e degjova po këtë mendim nga drejtoresha e shkollës tuaj. Ne besojmë se mbështetja më e mirë është ajo që ndihmon fëmijët dhe çdo njeri të jetë i pavarur dhe të zhvillojë aftësitë që do t’i duhen për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten e tij. Gjithmonë jemi përpjekur të sjellim të mira përmes produkteve tona, duke ruajtur standardet më të larta të cilësisë, por gjatë gjithë kohës kemi dhënë edhe kontribut për ata që kanë nevojë për mbështetje”, tha Ndreka.

Lufra premton se do ta vazhdojë të mbështesë njerëzit në nevojë, për “një jetë plot të mira”, për të gjithë!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit