Transmetuar më 26-11-2024, 10:44

Champions League arrin në pikën e vet të kthesës. Midis ditës së martë dhe të mërkurë do të zhvillohet xhiroja e pestë e fazës së grupeve, me shumë ekipe të mëdha që rrezikojnë, si Real Madridi, Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain. Këto dy skuadrat e fundit do të përballen sonte në "Allianz Arena". Bayerni ndodhet në vendin e 17-të me 6 pikë dhe aktualisht është në zonën e “play off”-it, ndërsa PSG renditet i 25-ti, duke qenë momentalisht jashtë zonës së kualifikimit.

"Besimi rritet çdo javë, sidomos kur shoh lojtarët e mi në stërvitje. Është e qartë që ne dhe Bayerni jemi dy ekipe shumë të ngjashme: duam të kemi topin, ushtrojmë presion shumë lart. Edhe statistikat tona janë pothuajse identike. Në përballjen direkte tonën do të ketë vetëm një top në fushë, kështu që një skuadër do të duhet të vuajë: ose ata, ose ne", – tha Luis Enrique në konferencën për shtyp.

Trajneri spanjoll vlerësoi ecurinë e ekipit të tij deri më tani: "Kemi luajtur 12 ndeshje në Ligue 1 dhe 4 në Champions League, gjithsej 16 ndeshje. Mendoj se në të gjitha, përveç ndoshta humbjes ndaj Arsenalit (2-0), skuadra ime ka treguar performanca të shkëlqyera. Këtë e tregojnë statistikat, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.

Sonte do të duhet të shkojmë përtej asaj që jemi mësuar. Duhet të vrapojmë më shumë, të rrisim nivelin. Kemi luajtur tashmë 4 ndeshje në Champions League, 3 prej të cilave në shtëpi. Për mua, renditja jonë aktuale nuk është e drejtë, por kështu ka shkuar situata. Tani duhet të marrim rezultate të mira për t’u kualifikuar. Nuk e dimë ende sa pikë do të nevojiten, por e dimë që ia kemi vështirësuar vetes detyrën".

Kjo sfidë përbën një moment kyç për të dy ekipet, që kërkojnë të shpëtojnë sezonin europian dhe të sigurojnë vendin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, atë me eliminim direkt.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit