Transmetuar më 27-10-2024, 08:49

TIRANË- Afërsia me BE-në, fuqia punëtore e kualifikuar dhe kostot e ulëta të punës po tërheqin gjithnjë e më shumë investitorë në rajon, ndërsa prodhimi i qëndrueshëm dhe ulja e emetimeve CO2, paraqesin mundësi të rëndësishme për rritjen ekonomike.

Pandemia Covid-19 dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit që solli ajo, i nxitën kompanitë europiane të largonin pikat e tyre të prodhimit nga Kina dhe t’i afronin në Europë.

“Near-shoring” nënkupton zhvendosjen e pikave të prodhimit ose veprimtarive të tjera në BE ose rajonet e saj fqinje (si Ballkani Perëndimor), me qëllim që të jenë më afër tregjeve europiane.

Një studim i fundit, i kryer nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW), në bashkëpunim me dhomat e tregtisë së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), analizoi gjendjen e veprimtarisë “near-shoring” në Ballkanin Perëndimor dhe zbuloi se me të vërtetë po ndodh ky afrim, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ku flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), midis viteve 2020 dhe 2023, ishin dukshëm më të larta.

“Analiza jonë ka nxjerrë në pah raste konkrete të veprimtarisë “near shoring”, në pesë nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi”, thotë Branimir Jovanović, ekonomist në institutin WIIW dhe autori kryesor i studimit.

Ai gjithashtu vë në dukje se janë nisur projekte të rëndësishme të energjisë së ripërtëritshme në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

“Kjo reflekton potencialin e rajonit në tranzicionin e gjelbër”, shton Jovanović.

Kompanitë aziatike kërkojnë afërsi me BE-në

Kompanitë e huaja industriale po përqendrohen gjithnjë e më shumë në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, ku një numër i dukshëm kompanish vijnë nga Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.

“Firmat aziatike po ndjekin një qasje shumë strategjike, duke i pozicionuar qëllimisht pikat e tyre të prodhimit pranë bërthamës ekonomike të BE-së, në mënyrë që të kenë zinxhirë furnizimi më të shkurtër”, shpjegon Jovanović.

Si pjesë e studimit, 17 investitorë të huaj në Ballkanin Perëndimor, u intervistuan rreth synimeve të tyre. Ata konfirmuan rëndësinë e afrimit të pikave të prodhimit pranë BE-së, me qëllim për të zbutur ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziqet gjeopolitike. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe uljes së emetimeve CO2.

“Nëse furnizuesit vendas bëjnë përparim në dekarbonizimin e operacioneve ekonomike, ata kanë shanse për t’u integruar në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar dhe për t’u zgjeruar”, shton Jovanović.

Investitorët janë optimistë për rajonin

Një studim i 65 kompanive të huaja që kanë investuar në Ballkanin Perëndimor thekson vendndodhjen e favorshme gjeografike të rajonit, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe kostot konkurruese të punës.

Sidoqoftë, mbeten disa probleme të tjera, si qeverisja e dobët, korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit, institucionet e pazhvilluara dhe infrastruktura e papërshtatshme.

Pavarësisht këtyre sfidave, 72% e të anketuarve u shprehën se ishin të kënaqur me investimin e tyre në rajon, dhe 11% thanë se i kanë zhvendosur veprimtaritë nga vende më të largëta, për të qenë më afër BE-së.

Dy të tretat e kompanive të huaja, e shohin Ballkanin Perëndimor si një rajon premtues për investime të gjelbra. Shumë do të rrisnin investimet nëse do të kishte përparim me dekarbonizimin.

Një sondazh paralel i 382 kompanive vendase, zbulon se si po përgjigjen ato ndaj shtytjeve për një prodhim më ekologjik. Rezultatet tregojnë se dy të tretat e bizneseve në Ballkanin Perëndimor janë të vetëdijshme për strategjitë për të ulur emetimet CO2, duke e njohur këtë ndryshim si një portë për rritjen e eksporteve në BE.

Sidoqoftë, shumica pajtohen se do të nevojitet mbështetje financiare për të bërë përparim të dukshëm.

“Përveç trajtimit të problemeve të njohura, si qeverisja e dobët, korrupsioni dhe infrastruktura e mangët, qeveritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duhet të kenë përparësi ndihmën e kompanive vendase për t’u bërë më të qëndrueshme nga ana mjedisore dhe për të nxitur bashkëpunimin më të ngushtë me investitorët e huaj”, thotë Jovanović.

“Kompanitë austriake në veçanti, të cilat kanë reputacion të mirë në teknologjitë mjedisore, do të përfitojnë shumë nga përpjekje të tilla në të ardhmen”./MONITOR

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit