Transmetuar më 26-10-2024, 11:36

KOSOVA- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, është duke zhvilluar takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Me anë të një postimi në platformën ‘X’, Von Der Leyen ka thënë se presidentja e Kosovës po bën punë të madhe për të ardhmen evropiane të Kosovës. Ajo shton se zgjerimi i BE-së mbetet pritoritet për të.

“Zgjerimi do të mbetet një top prioritet për mua. Jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e BE-së”, ka shkruar Von Der Leyen.

Më herët Von der Leyen ka vizituar Tiranën, Shkupin, Beogradin dhe Sarajevën. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.

Ditën e djeshme, Presidentja e Komisionit Europian ka anuluar takimin me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, gjatë vizitës së saj në Beograd. Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviç mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Disa ditë më parë, Von der Leyen vizitoi dhe Tiranën ku tha se zgjerimi i Bashkimit Europian është prioritet i saj edhe në mandatin e të dytë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit