Transmetuar më 21-10-2024, 13:10

Dalin akuza zyrtare dhe detaje nga SPAK për arrestimin e Ilir Metës dhe masën e sigurisë ndaj Monika Kryemadhit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish kryeministër, ish kryetar Parlamenti dhe ish President, është arrestuar sot përmes një aksioni spektakolar policor ku u përdor forca pasi sipas Policisë së Shtetit, deputeti i fyeu dhe refuzonte të dilte nga makina.

Në foto shikoni momentet e arrestimit të Metës, kurse videon e gjeni këtu.

Masat e sigurisë janë lëshuar me kërkesë të prokurorit të SPAK Sotir Kllapi dhe vendim të gjyqtarit Erjon Çela.

Bëhet fjalë për hetimin pasuror të bërë pak kohë më parë nga SPAK ndaj familjes Meta dhe disa akuza të tjera, detajet e të cilave i gjeni këtu.

Edhe në rastin e Ilir Metës është anashkaluar Kuvendi për t’i hapur rrugë arrestimit të deputetit Meta.

Noa.al konfirmon se deputeti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të SPAK. Ai u vu në pranga nga disa punonjës të maskuar të policisë së drejtorisë rajonale Tiranë, rreth orës 13:10 të së hënës 21 tetor 2024.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte duke shkuar në zonën e ish Bllokut ku gjendet godina e ish LSI, sot e Partisë së Lirisë.

Teksa gjendej në rrugën pranë Kthesës së Kamzës në zonën e Laprakës, në hyrje të qytetit të Tiranës, makina ku gjendej Meta dhe personi që e shoqëronte, u ndal nga tre automjete ku gjendeshin kryesisht policë të maskuar, raporton noa.al.

Meta ishte paraqitur tre herë në SPAK për hetimet ndaj tij dhe në këtë periudhë shpalli dhe divorcin me Monika Kryemadhin.

Meta, shumë vite edhe në poste ministrore, akuzohet paraprakisht për të ashtuquajturin skandali ÇEZ-DIA, për një lobim në vlerë 600 mijë dollarë në SHBA, si dhe është nën hetim për pasuritë e tij dhe familjes. Detajet i gjeni këtu.

Arrestimin e konfirmoi edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili kur kishte ndodhur prangosja me forcë ishte në konferencë për shtyp.

Berisha tha se persekutimi i Ilir Metës është politik. Kurse theksoi se Kryeministri Edi Rama është përpkjekur për eleminimin poilitik dhe fizik të Ilir Metës.

“Persekutimi i Ilir Metës është politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por ka zbatuar urdhrat e Edi Ramës i cili ësthtë përpjekur për eleminimin, politik e ndofta edhe fizik të Ilir Metës.

Kjo është përgjigja ime. Edi Rama është siç denoncova dhe radhën e kaluar me shumë të dhëna i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstra ligjore, antikushtetuese", deklaroi Berisha.

Hetimi i SPAK për dosjen CEZ-DIA

Dosja e CEZ-DIA është rihapur në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste, për vjedhje të parave publike.

Shitja e 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 milionë euro.

Për këtë çështje deri më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Stafi kishte njoftuar konferencë për media

Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë. Sinjali nga Fibra, Facebook dhe You Tube. Lutemi mediave, për transmetimin live.

Njoftimi zyrtar i SPAK

Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve.

Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit personal  “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

3. Caktimin e masës së së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Po në datën 20.10.2024 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.125 datë 20.10.2024. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot në datën 21.10.2024 masat e sigurimit të mësipërme ndaj katër personave nën hetim.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Gjejmë rastin që të falenderojmë Drejtorinë e  Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit

Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:

Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.

Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.

Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.

Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë.

Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.

Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.

Reagimi nga Ilir Meta pas arrestimit

🇦🇱 Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!

Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë!

Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.

Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Qëndrimi zyrtar nga Partia e Lirisë

QËNDRIM I KRYESISË TË PARTISË SË LIRISË

Kryesia e Partisë së Lirisë, e mbledhur sonte më datë 21 tetor 2024, shpreh qëndrimin e saj, si më poshtë vijon: 1. Dënon me ashpërsinë më të madhe aktin shumë të rëndë kriminal terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik, në mënyrë jo ligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar të një figure të lartë publike, si ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Presidenti i Republikës dhe Presidentit aktual të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta.

2. Ky akt terrorist kriminal i urdhëruar nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste dhe i vënë sot në zbatim nga struktura kriminale terroriste SPAK, konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh se në Shqipëri ka rënë shteti ligjor dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur për fyti dhe funksionon sipas një regjie, vetëm për llogari të interesave elektorale dhe politike të Narkoshtetit dhe Edi Ramës.

3. Arrestimi politik i Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi konfirmon se drejtësia nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.

4. Edi Rama dhe Altin Dumani, me aktin e sotëm terrorist kanë kaluar vijat e kuqe duke i shpallur luftë të hapur opozitës, me qëllim asgjesimin e saj, të pluralizimit politik dhe demokracisë.

5. Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, si dhe për shkak të denoncimit të pakompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë.

6. Kryesia Politike e Partisë së Lirisë duke shprehur solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, vijon aktivitetin politik nën drejtimin e Tij pavarësisht gjendjes së tij juridike.

7. Partia e Lirisë është e vendosur të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus.

Qëndrimi publik i Monika Kryemadhit

Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.

Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të çertifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.

Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.

Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.

Deklarata e sotme e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.

Pasi, për familjen time SPAK shkel çdo të drejtë të njeriut të mbrojtur nga Konventat Europiane dhe Kushtetuta, për një proces të rregullt ligjor, kurse për mafiozët në karriget e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre përulen dhe nuk shohin krimet e përditshme në kurriz të shqiptarëve.

Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.

SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrësesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njejtën monedhë.

/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit