

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi sot Kryeadministratoren e re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja.
Më herët sot, kryepolici Ilir Proda prezantoi drejtoren e re të Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit.
Në këtë mënyrë, Proda dhe Hoxha duket se po ndjekin traditën e krijuar nga Rama për të zëvendësuar burrat me gra në poste kyçe shtetërore.
Duke folur sot për ndryshimet në kupolën e dikasterit që drejton, Hoxha tha se e nisi ditën sot me prezantimin e Kryeadministratores së re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, e cila vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.
Ai shtoi se, "me emërimin e Kryeadministratores së re kërkojmë që këtë punë të mirë, të kryer deri tani, ta ngremë në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë."
Agjencia është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, përmes miradministrimit të të ardhurave të paligjshme, si goditje e krimit të organizuar në pikën më nevralgjike, që është paraja.
Ndërkohë, Hoxha kërkoi të informojë publikun, se "është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve. Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane. Kjo njësi, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë."
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
