Transmetuar më 05-09-2024, 10:33

Kasaforta e prerë me gur fresibël në pjesën e pasme të saj dhe që ishte në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se “zhdukja” e babait të tij Enver Balla nuk ishte rastësore. Që prej momenteve të para që djali bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij, e gjithsesi qëndruan të ftohtë dhe e mbajtën në vëzhgim pa e trazuar apo akuzuar.

Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit gjetën detaje kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë. Hetuesit i gjetën djalit në dhomë kasafortën e parave të prerë me gur fresibël.

Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me një grua, e cila i kishte shkruar në Instagram, policia vendosi t’i sekuestrojë celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT pasi i kishte fshirë dhe u zbuluan prova interesante që zbërthyen ngjarjen.

Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babanë e tij. Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celularin e tij, duke zbuluar mashtrimin.

I riu u mbajt për disa kohë në përgjim, por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kanë dyshime të forta se ai nuk veproi vetëm dhe të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë jashtë familjes. Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, të mashtruar nga Esmeraldi me histori të sajuara të largimit me një grua.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit