Magazinë
Transmetuar më 22-08-2024, 09:23

Pierre Kalulu po përgatitet të debutojë si lojtar i ri i Juventusit. Mbrojtësi largohet nga Milani dhe do të veshë zyrtarisht fanellën bardhezi. Francez kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, hap që i parapriu nënshkrimit të kontratës së re, që do ta lidhë atë me klubin bardhezi.

Lojtari, duke përjashtuar çdo surprizë, tashmë do të jetë në dispozicion të Thiago Motta për ndeshjen jashtë fushe, në “Bentegodi”, kundër Veronës, e planifikuar për të hënën e 26 gushtit.

Kalulu, siç u përmend, ka kryer vizitat rituale mjekësore në “J-Medical” gjatë ditës së djeshme, përpara se të nënshkruante kontratën dhe të vihej në dispozicion të Thiago Motta.

Francezi kalon te Juventusi me një hua të kushtueshme 3 milionë euro, me të drejtën e blerjes përfundimtare të fiksuar në 14 milionë euro, plus një bonus 3 milionësh. Milani ka rezervuar edhe një kuotë prej 10% në rishitjen e ardhshme të mbrojtësit të lindur më 2000.

Pas zyrtarizimit të transferimit të tij nga Milani te Juventusi, francezi tha fjalët e tij të para si lojtar i “Zonjës së Vjetër”, përmes kanaleve zyrtare të klubit bardhezi.

A mund të na thoni përshtypjet tuaja të para të kësaj dite të parë te Juventusi?

Përshtypjet e para janë shumë pozitive, kam parasysh si është strukturuar klubi me zyrat e veta, fushat stërvitore, stadiumi etj. Jam shumë i lumtur.

A mund të na tregoni për karakteristikat dhe pikat tuaja të forta në fushë?

Unë jam një mbrojtës modern, sepse mund të luaj në role të ndryshme të prapavijës. Jam i shpejtë, agresiv dhe i pëlqej duelet. Di të luaj futboll të pastër.

Cilët janë lojtarët që ju kanë frymëzuar si fëmijë?

Shumë njerëz më pyesin këtë. Çdo vit ju merrni frymëzim nga ata që japin më të mirën e tyre dhe në shumë ndeshje jam përpjekur të ndjek ata që kanë bërë mirë. Nuk kam modele fikse, ato ndryshojnë çdo sezon.

Kush është Pierre jashtë fushës?

Ai është një djalë që i pëlqen të rrijë në shtëpi, të shkojë në kinema , ku të shohë filma në frëngjisht ose gjuhë të tjera. Më pëlqen të dëgjoj muzikë klasike, rap amerikan dhe pak në italisht. Jam një djalë i qetë.

A e keni takuar tashmë Thiago Motta? Çfarë i keni thënë njëri-tjetrit dhe çfarë ju pëlqen tek ai?

Po, kam pasur fatin ta shoh atë dhe ekipet e tij se si luajnë. Ne folëm shumë herë në telefon, para se të vija këtu. Më pëlqen se është i sinqertë, i qartë për idetë e tij mbi futbollin. Ekipet e tij luajnë mirë dhe ne të gjithë jemi të dashuruar me ata që luajnë mirë.

Objektivat tuaja dhe të ekipit?

Të fitoj sa më shumë që të jetë e mundur, duke e marrë çdo ndeshje si finale. Personalisht do të jap gjithmonë më të mirën, kjo është në dorën time. Do të dëshmoj se si luaj dhe si mund të bëj mirë çdo herë në fushë.

Në kombëtaret franceze të të rinjve keni luajtur me K.Thuram. A keni biseduar para se të vije këtu?

Po, kam luajtur disa herë me Khephren. E njoh mirë, kemi folur ditët e fundit, por është sekret profesional.

Një përshëndetje e fundit…

Përshëndetje tifozë bardhezinj. Shpresoj se do t’ju bëj krenarë duke veshur këtë fanellë. Do të shihemi së shpejti në stadium.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit