

Në përgjigje të njoftimit të fundit të Uashingtonit, për të rritur tarifat ndaj Kinës në një total prej 104%, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian u shpreh të mërkurën se Kina do të vazhdojë të marrë masa të vendosura, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime.
Lin Jian i bëri deklaratat në një konferencë të rregullt për shtyp. E drejta legjitime e popullit kinez për zhvillim, nuk mund të privohet. Sovraniteti, siguria dhe interesat e zhvillimit të Kinës nuk mund të cenohen, tha ai.
"Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim masa të vendosura, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime." shtoi ai.
Kur u pyet për luftrat tregtare në botë, zëdhënësi tha: "Kina është e gatshme të punojë me palë të ndryshme për t’iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë, të kundërshtojë së bashku të gjitha format e unilateralizmit dhe proteksionizmit, të bashkojë duart për t’u mbrojtur kundër rreziqeve dhe sfidave, si edhe të nxisë realizimin e globalizimit ekonomik universal dhe gjithëpërfshirës".
Siç mësohet, përveç ngritjes së tarifave, Kina ka vendosur të përfshijë "Shield AI, Inc.", "Sierra Nevada Corporation", "Cyberlux Corporation", "Edge Autonomy Operations LLC", "Group W" dhe "Hudson Technologies Co.", në listën e entiteteve jo të besueshme.
Në të njëjtën ditë, ekonomia e dytë botërore ka ngritur edhe padi kundër Shteteve të Bashkuara për masat e saj të fundit të rritjes së tarifave, sipas mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





