Tiranë- Ndryshon skema e pensioneve për vitin 2023. Sikundër ka ndodhur çdo vit tjetër që prej reformimit të skemës në 2014-n, mosha e daljes në pension për gratë është rritur me 2 muaj të tjerë, ndërsa portofolit të sigurimeve i shtohen edhe 4 muaj të tjerë. Kështu, prej fillimit të muajit të gjithë ata që mbushin moshën e daljes në pension këtë vit e që duan të përfitojnë pension të plotë pleqërie, do të duhet të kenë 38 vite periudhë kontributeve nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë.
Ekspertja e sigurimeve shoqërore Afroviti Dhuci, shpjegoi më tepër rreth kushteve të pensioneve për këtë vit. "Sigurisht ndryshimet parametrike që iu bënë skemës së pensioneve në vitin 2014 konsistonin në rritjen e moshës dhe viteve të punës për personat që kanë qenë të siguruar dhe të punësuar. Aktualisht kushtet në vitin 2023 kanë ndryshuar duke u rritur dy muaj për çdo vit për përfitueset gra, dhe këtë vit dalin në pension të gjitha përfitueset gra të cilat kanë qenë të siguruara gjatë jetës së tyre dhe kanë lindur në harkun kohorë 1 shtator 1961 deri në 30 qershor të vitit 1962.
Pra të gjitha gratë që kanë lindur në këtë hark kohor dalin në pension në vitin 2023 në moshën 61 vjeç e 8 muaj. Periudha e përgjithshme e sigurimit për të përfituar një pension të plotë nga skema e sigurimeve shoqërore është 38 vite punë për të marrë një pension të plotë. Edhe për ato përfituese gra të cilat nuk e kanë plotësuar periudhën e përgjithshme të sigurimit e mjaftueshme është 15 vite punë dhe me 15 vite punë futen në skemë për të përfituar një pension nga skema e sigurimeve shoqërore. Pra kufiri minimal për të marr një pension kur plotësojnë moshën është 15 vite," tha ekspertja e ftuar në një studio televizive.
Mosha e pensionit
Po ashtu edhe për përfituesit burra, mosha e pensionit do të jetë mbi 38 vite pune. "Ndërsa për përfituesit burra, dalin në pension të gjithë ata burra që kanë lindur në harkun kohor 1 janar të vitit 1958 deri në 31 dhjetor 1958, pra në moshën 65 vjeç. Periudha e përgjithshme e sigurimit edhe për përfituesit burra është 38 vite për ata persona të cilët kanë punuar mbi këto vite dhe mbi moshën e pensionit sigurisht që mund të ketë një shtesë mbi pensionin e pleqërisë" tha ajo më tej.
Si llogaritet shtesa?
"Është një nen i veçantë mbi shtesën e viteve për të gjithë ata persona të cilët kanë realizuar 38 vite punë në 2023, kanë punuar përtej moshës 65 vjeç ose 61 vjeç e 6 muaj pasi kanë plotësuar moshën për pension pleqërie dhe kanë plotësuar periudhën që I kërkohet në nenin 92 të ligjit për 38 vite që është aktualisht do të marrin një shtesë për aq muaj sa vazhdojnë dhe kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore mbi bazë të kontributeve të derdhura, për aq muaj," shpjegoi ekspertja Afroviti Dhuci.
Buxheti
Duke parë situatën ekonomike, krizën e cila me shumë gjasa do vazhdojë edhe për këtë vit, Qeveria vendosi të marrë një sërë masash, të tilla si rritje pagash, indeksim për herë të dytë të pensioneve brenda një viti, që është hera e parë që ndodh, rritje të ndihmës ekonomike, apo rritje për herë të dytë të pagës minimale. Janë më shumë se 14 mijë persona që çdo vit mbushin moshën e daljes në pension. Formula e re përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 8800 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Baza e vlerësueshme është paga e përfituar pas indeksimit me koeficientet korresponduese të çdo viti. Për këtë vit janë 4.7 miliardë lekë ose rreth 45 milionë dollarë që do të ndahen, por pjesa më e madhe prej tyre, rreth 3.5 miliardë lekë, do të ndahen si shpërblim me rastin e festave të dhjetorit dhe vetëm 1.2 miliardë lekë ose rreth 10 milionë dollarë janë planifikuar për politika të reja pensionesh.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd