Magazinë
Transmetuar më 04-04-2025, 14:24

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka reaguar ndaj tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara për importet globale, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të marrin masa të menjëhershme për pezullimin e të gjitha tarifave ndaj mallrave amerikane.

Aktualisht, SHBA ka vendosur një tarifë 10% për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut përballet me një tarifë ndëshkuese prej 33%. Në deklaratën e saj, AARC përshëndet vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të propozuar pezullimin e tarifave si një veprim që përkon me qasje të mençur dhe strategjike në raport me SHBA-në. “E përgëzojmë Presidenten Osmani për lidershipin e saj dhe nxisim Qeverinë e Kosovës që të ecë përpara me miratimin dhe zbatimin e kësaj politike pa vonesa,” thuhet në reagimin zyrtar të AARC. Krahas Kosovës, AARC i bën thirrje Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që të ndjekin të njëjtin shembull, duke hequr tarifat për importet nga SHBA në mënyrë që rajoni të flasë me një zë të unifikuar dhe të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

“Një qasje e tillë e bashkërenduar do të përforconte angazhimin e përbashkët për bashkëpunim ekonomik dhe do të dërgonte një mesazh të qartë për SHBA-në dhe BE-në mbi gatishmërinë e rajonit për veprim të koordinuar dhe konstruktiv,” thekson më tej AARC. AARC sugjeron që këto katër vende të Ballkanit të punojnë së bashku për të hartuar një propozim gjithëpërfshirës për Shtetet e Bashkuara, i cili do të krijonte një mjedis ekonomik të integruar dhe tërheqës për investitorët amerikanë. Sipas deklaratës, një front i përbashkët do të rriste potencialin ekonomik të rajonit, do të tërhiqte kapitale të reja dhe do të forconte marrëdhëniet afatgjata me tregun amerikan. Përveç përfitimeve ekonomike, AARC thekson se ky veprim do të tregonte përkushtimin e vendeve të rajonit ndaj vlerave të përbashkëta si tregtia e lirë, tregjet e hapura dhe aleancat strategjike, që janë thelbësore për partneritetin me SHBA-në dhe për aspiratat për integrim në BE.

“Zgjerimi i bashkëpunimit me SHBA-në do të forconte rolin e këtyre vendeve në komunitetin transatlantik dhe do të afirmonte pozicionin e tyre si partnerë të besueshëm,” thuhet në deklaratë. Në përmbyllje, AARC bën një thirrje urgjente për veprim konkret dhe të bashkërenduar: “I nxisim politikëbërësit në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të treguar përkushtim ndaj aleancës me SHBA-në, të forcojnë marrëdhëniet ekonomike dhe të kontribuojnë për stabilitet dhe zhvillim rajonal.” AARC shpreh gatishmërinë e saj për të mbështetur çdo iniciativë që nxit prosperitetin ekonomik dhe marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit