Magazinë
Transmetuar më 03-04-2025, 09:48

Hansi Flick shprehu kënaqësinë e tij pas kualifikimit në finalen e Kupës së Mbretit, pas një tjetër fitoreje në “Metropolitano” kundër Atlético Madridit. Mbas fitores së fundit 4-2 në kampionat, këtë herë 1-0 ishte i mjaftueshëm, pas 4-4 në gjysmëfinalen e pare, për të siguruar finalen e madhe në “La Cartuja” më 26 prill, ku tashmë e pret Real Madridi.

"Nuk është e lehtë të fitosh dy herë këtu, por ia dolëm falë mentalitetit të mirë të lojtarëve, të cilët treguan personalitet në pjesën e dytë, pavarësisht moshës së tyre të re, për të ruajtur rezultatin 1-0", – shpjegoi trajneri gjerman, duke vlerësuar se "e mbrojtëm mirë rezultatin në fund, në një betejë më fizike. Linja e katër mbrojtësve u paraqit shumë mirë, por suksesi ishte punë e të gjithëve".

Flick shtoi: "Jam shumë i lumtur, më pëlqeu guximi i lojtarëve dhe fakti që dolëm nga kjo ndeshje pa pësuar gol, diçka që nuk është aspak e lehtë kundër Atlético Madridit, një prej ekipeve më të mira në Spanjë dhe Europë. Mendoj se çelësi ishte ai gol në pjesën e parë dhe qëndrimi i fortë në pjesën e dytë ndaj krosimeve të Atlético Madridit.

Që nga pauza e Krishtlindjeve kemi bërë shumë përmirësime, skuadra ka kuptuar çfarë duhej bërë. Ky ekip nuk është vetëm 11 lojtarë, për të qenë të suksesshëm, të gjithë duhet të jenë të rëndësishëm".

Trajneri gjerman vlerësoi përkushtimin e lojtarëve të tij: "Është e lejuar të ëndërrojmë, por duhet të fokusohemi te stërvitja, rikuperimi dhe ndeshjet. Sot do të mbërrijmë në shtëpi në orën 3 ose 4 të mëngjesit, do të flemë pak dhe do të stërvitemi. Klubi mund të jetë shumë krenar për këto lojtarë".

Flick pati edhe një paralajmërim për lojtarët e vet: "Para se të mendojmë për finalen e Kupës, kemi disa ndeshje të tjera ku duhet të përqendrohemi, e para ndaj Betisit. Më duket fantastike të luajmë një ‘El Clásico’ në finale, por tani nuk është e rëndësishme. Jemi Barcelona, luajmë për të fituar trofe dhe ajo që po bëjmë nuk është e lehtë. Është e lejuar të ëndërrojmë, por duhet të fokusohemi".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit