Magazinë
Transmetuar më 26-03-2025, 11:43

Olivier Giroud, ish-sulmuesi i Milanit, komentoi vitet e tij te kuqezinjtë. Ai foli për “Le Parisien”si më poshtë: "Kam kaluar 9 vite të mrekullueshme në Angli, por nuk mund të gjeja një kampionat më të mirë se Serie A. Të luaja për Milanin e madh dhe të fitoja titullin më 2022 ishte e pabesueshme.

Qysh fëmijë isha tifoz i atij klubi, ndaj të kisha mundësinë të mbroja ngjyrat kuqezi për 3 vite ishte një krenari e madhe. Pata mundësinë të punoja me Maldinin, Piolin, Ibrën…, në Itali u kënaqa. Pasioni i tifozëve kuqezinj dhe dashuria për futbollin? Nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë më parë. ‘San Siro’ është tempulli i vërtetë i futbollit".

Më pas, Giroud foli edhe për Zlatan Ibrahimović: "Ai është ndryshe nga sa mund të imagjinohet. Mund të duket arrogant, por në të vërtetë ka karizëm të jashtëzakonshme. Në dhomat e zhveshjes ai tregon kujdes të madh për mirëqenien e grupit dhe është gjithmonë shumë i vëmendshëm.

Është kërkues si me veten, ashtu edhe me ekipin, sidomos me lojtarët e rinj. Zlatan është një forcë shtytëse, një lider i vërtetë, ka aftësinë t’i përmirësojë ata që ka përreth. Ne ndajmë vlera themelore si respekti, përkushtimi dhe profesionalizmi".

Giroud iu bashkua Milanit gjatë merkatos së verës 2021 nga Chelsea dhe do të largohej prej aty në vitin 2024 si një nga lojtarët më të dashur për tifozët, duke shënuar disa gola vendimtarë në sezonin e titullit (2021-2022), përfshirë dopietën fituese në derbin kundër Interit.

Ai vendosi të largohej vitin e kaluar për të provuar një eksperiencë të re në SHBA me Los Angeles FC. Në një intervistë të mëparshme, sulmuesi francez zbuloi se nuk kishte asnjë pendesë për atë vendim, pasi u largua nga kuqezinjtë në një moment të lartë të karrierës së tij.

Të dielën në mbrëmje, përpara ndeshjes së Francës kundër Kroacisë, Giroud u nderua me një fanellë për të përkujtuar golat e tij me kombëtaren transalpine, përpara një turme entuziaste, ndërsa më pas Mike Maignan u shndërrua në hero me pritjet nga pika e bardhë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit