Magazinë
Transmetuar më 27-02-2025, 09:02

Pjesëmarrje e ulët e emigrantëve nga Greqia për zgjedhjet e 11 majit. Pavarësisht numrit të madh të shqiptarëve në Greqi, shkalla e regjistrimit të tyre në listat zgjedhore mbetet e ulët, pasi deri më tani janë regjistruar vetëm 50,000 persona

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pak më shumë se 80 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë aplikuar për t’u regjistruar si zgjedhës në zgjedhjet e 11 majit.

Shtetasit shqiptarë me banim në vendin fqinjë përbëjnë rreth 28% të totalit të aplikimeve nga diaspora, të cilat arrijnë në 227,000. Ky numër i rendit ata në vendin e dytë pas shqiptarëve në Itali, ku janë paraqitur rreth 111 mijë aplikime, raporton noa.al.

Sipas bazës elektronike të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 80,000 shqiptarët në Greqi që aplikuan, 50,000 janë miratuar si votues, ndërsa rreth 13,000 janë refuzuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë. Pjesa tjetër nuk është e qartë.

Shumica e votuesve të regjistruar vijnë nga qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Vlorë

Të dhënat e Ministrisë Greke të Emigracionit të muajit janar 2025 tregojnë se 277 mijë shqiptarë kanë leje të rregullt qëndrimi në Greqi, që përbën 55.9% të shtetasve të huaj në vend.

Për më tepër, rreth 15,000 anëtarë të minoritetit grek, të cilët kanë ruajtur nënshtetësinë shqiptare, kanë të drejtën e votës në Shqipëri.

Megjithatë, sipas analistëve në Athinë, numri aktual i shqiptarëve me dokumente shqiptare por pa leje qëndrimi greke është shumë më i lartë. Rreth 500 mijë shqiptarë vlerësohet se jetojnë në Greqi.

Partitë politike shqiptare kanë intensifikuar fushatat e tyre në zonat e Greqisë me prezencë të madhe emigrantësh, duke i kërkuar që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Në të njëjtën kohë, autoritetet shqiptare ndërmorën iniciativa për lëshimin e dokumenteve të identifikimit në disa ishuj grekë nëpërmjet njësive të lëvizshme, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin zgjedhor.

Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2020 numri i shqiptarëve jashtë vendit vlerësohej në 1.68 milionë, ose 37% e popullsisë së përgjithshme të vendit. Sipas të dhënave jozyrtare të janarit 2025, ky numër është rritur në 1.75 milionë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit