

“MVP” i ndeshjes Inter-Empoli 3-1, Lautaro Martinez, zhbllokoi sfidën me një gol të shkëlqyer nga distanca. Në intervistën për DAZN, kapiteni i Interit u shpreh pas ndeshjes: "Kishim pak zemërim, sepse vinim nga një barazim me Bologna, ku humbëm dy pikë.
Sonte ishte një ndeshje e ndërlikuar, por në pjesën e dytë i dhamë shpejtësi topit, gjetëm hapësira. Golat erdhën duke e lëvizur shpejt topin". Duke folur për kritikat, Lautaro shtoi: "Tifozët duhet të na mbështesin. Të gjithë shokët e skuadrës japin 100% për Interin, këtë e garantoj unë. Jam krenar për ta".
Kapiteni u ndal edhe te rivaliteti me Napolin për kreun e Serie A: "Do të jetë një sfidë e bukur deri në fund të kampionatit, por tani për tani mendojmë vetëm rrugëtimin tonë".
Në pjesën e parë zikaltrit nuk e kishin me nxitim, më pas shënuan dhe e fituan ndeshjen në të dytën: “Në pjesën e parë mund të bënim më shumë. Gjithsesi, në pushim folëm shumë mes nesh. Mister Farris foli shumë mirë me skuadrën, na motivoi dhe dolëm në fushë me një qasje ndryshe, me tjetër shpejtësi”.
Sa i kishte munguar goli në shtëpi dhe a është rikthyer Lautaro? Ja si përgjigjet argjentinasi: “Ishin momente të vështira, por gjithmonë kam thënë që edhe në ato momente përpiqem të jap maksimumin në aspekte të tjera.
Brenda vetes jam i qetë, sepse mendoj se bëj gjithçka edhe kur ka vështirësi. Tani po stërvitem mirë, po ndjehem mirë, po pushoj mirë dhe po kthehem në nivelin e vitit të kaluar. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd