TIRANA- I shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është ekstraduar sot në Shqipëri nga Turqia. Në njoftim, 45-vjeçari, cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Rexhepi konsiderohej si një ndër narkotrafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Ai dyshohet të ketë qenë vrasësi i parë me pagesë në vendin tonë dhe është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.
Rexhepi u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas kapo i bandës së drogës mbahet mend për një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.
45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:
-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, "Fshehja dhe asgjësimi i kufomës", “Trafikimi i lëndëve narkotike”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;
-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve";
-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja me paramendim” dhe "Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit". Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;
-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd