Gjykata e Posaçme ka dënuar Ilirian Feçin, Elvis Koçin dhe Agim Gjinin për vjedhje me dhunë dhe sigurim kushtejsh për kryerjen e vrasjeve, përfshirë atë të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Vendimi u dha nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke dënuar përkatësisht:
Elvis Koçi me 7 vite burg për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në periudhën 25-30.07.2020, në qytetin e Elbasanit, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ai u akuzua gjithashtu për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ilirian Feçi me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Skënder Roshi, e kryer në Kavajë më 28.04.2011, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, dhe akuzuar gjithashtu për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Agim Gjini me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Astrit Ademi, e kryer më 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Bashkia Vorë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Treshja u gjykua me procedurë të shkurtuar dhe do të përfitojë zbritjen e dënimit me 1/3.
Për pjesën tjetër të grupit, vijon gjykimi i zakonshëm, pasi akuzohen për vepra më të rënda penale. Pjesë e këtij grupi janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tase, Enver Diva, Besjan Xhixha, etj.
Operacioni “Plumbi i Artë”, i zhvilluar në mars të 2022, çoi në kapjen e disa anëtarëve të grupit, përfshirë Nuredin Dumanin, Henrik Hoxhën, Skerdi Tasen dhe së fundmi Erion Alibej, të cilët fituan statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe përmes dëshmive të tyre zbardhën një sërë krimesh të rënda.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd