DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vdekjen e 33-vjeçarit Branko Shkoza në Durrës. Shkoza u gjet i vdekur në një kanal në Spitallë të Durrësit ndërsa autor i ngjarjes është shoku i tij Majlind Habibi. Në lidhje me ngjarjen ka folur bashkëshortja e viktimës. Duke folur për emisionin “Me zemër të hapur” në News24, gruaja e 33-vjeçarit, Bora Shkoza u shpreh se burri i saj ditën e ngjarjes i kishte thënë se do të dilte të pinte kafe.
Ajo thekson se burri i saj dhe autori ishin shokë ndërsa ka hedhur poshtë akuzat se 33-vjeçari i ka ngacmuar gruan. Sipas saj burri i saj ishte gjithmonë i pirë por nuk ngacmonte askënd. Bora tha se 33-vjeçari mund ta ketë sharë autorin nga gruaja por jo që ti ketë ngacmuar bashkëshorten mikut të tij.
“Kam djalin 11 vjeç me Brako Shkozën. Burri më tha se do dal të pi një kafe e do vij prapë. M’u lut që të pinim kafe e nuk shkova. Pas disa ditësh, vjehrra më tha se Branko është në kanal. Pasi burri m’u zhduk disa ditë, te puna u sëmura, kisha parandjenja, e doja shumë. Kur u vonua tre ditë, thashë diçka i ka ndodhur. I thosha mos pi, por nuk merrte vesh.
Burri im rrinte gjithmonë tapë. Autorin mund ta ketë sharë nga gruaja, ishte pak i pistë nga goja, por ai nuk ngacmon. Burri im dhe autori ishin shokë të ngushtë. Nuk flisja asnjëherë me shokët e burrit, me gruan e autorit i flisja si je si kalon, kaq. Unë jam te mami im tani, djali im vjen dhe këtu e shkon edhe tek gjyshërit. Nuk rri dot pa burrin. Burrin e kam mbajtur unë, se vetë pinte shumë. I prishte lekët me raki. Unë mendoj se autori e ka vrarë, sepse besoj se Branko e ka sharë atë. Bashkëshorti kishte pak gojë, por ishte i dashur. Edhe më ka dhunuar, qoftë dhe para syve të djalit. Të dy pinim bashkë në lokal dhe janë zënë atje, jo kush jam e kush je ti,” tha ajo.
35-vjeçari Majlind Habibi dyshohet se goditi shokun e tij, Branko Shkozën me grusht teksa të dy ishin nën efektin e alkoolit. Nga goditja 33-vjeçari mësohet se ka rënë në kanalin e ujërave të zeza ku dhe ka humbur jetën. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe trupi i të ndjerit u gjet para 5 ditësh. Policia fillimisht e raportoi si ngjarje aksidentale. Autori e mbajti krimin të fshehtë dhe madje shkoi në varrimin e shokut. 35-vjeçari është arrestuar ndërsa ka shprehur edhe shenja pendese.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd