Transmetuar më 13-12-2024, 18:52

Dikur ishte yll i padiskutueshëm i muzikës shqiptare. Admirohej edhe për faktin se ishte një ndër femrat më të bukura në Shqipëri. Por duket se fati u tregua i pamëshirshëm me Parashqevi Simakun.

Vite më parë, njerëzit ‘çmendeshin’ për ta parë e dëgjuar. Ruhej me bodigardë. Por sot një video e publikuar në rrjet, sugjeron se ajo endet e vetmuar dhe e braktisur në rrugët e Nju Jorku.

Donalda Surducku, mjekja kushërirë me Parashqevi Simakun është familjarja e parë që ka hedhur dritë mbi fatin e saj.

Në një mesazh drejtuar gazetares Mira Kazhani ajo tregon betejën me shëndetin, ndarjen nga bashkëshorti dhe pengun e nënës së Parashqevisë që iku nga kjo jetë një vit më parë.

Gazetarja ka kërkuar një nismë për të ndihmuar Parashqevi Simakun, këngëtaren e madhe shqiptare e cila u largua herët në SHBA, dhe prej asaj kohe shumë pak dihet për fatin e saj.

Një video e postuar së fundmi në televizionin amerikan “ABC7 New York”, tregon një grua e cila përngjan shumë në zë dhe portret me Parashqevi Simakun, por ajo që ka ka bërë edhe më shumë habi është se shfaqet duke marrë ndihma nga një qendër vullnetare që japin çanta shpine me ndihma, kryesisht për nënat dhe fëmijët në nevojë.

Ndërsa gazetari Blendi Fevziu, i cili shpërndau sot videon duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, thotë se tashmë e ka konfirmuar që bëhet fjalë për këngëtaren shqiptare.

Ai thotë se është në kontakt me avokatë dhe biznesmenë në SHBA për ta identifikuar dhe ndihmuar dhe shprehet se ajo largohet sa herë i afrohen persona të cilët i flasin në gjuhën shqipe.

Familjarët e këngëtares nga Kavaja kanë reguar në lidhje me këtë video ku shprehen se kanë vite që kanë humbur kontaktet më ikonën e muzikës shqiptare dhe nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet ajo.

Video e publikuar nuk ka datë të saktë, do të thotë se nuk dihet se kur është xhiruar, por ajo që shton më shumë dyshime se bëhet fjalë për Parashqevi Simakun është emri në fillim të videos ku shkruhet “Simaku Nohfe”.

Pas kërkimit të emrit, rezultoi se ka dy llogari në Facebook me këtë emër, dhe duket se është vetë këngëtarja ajo që ka ndarë fotografi të kaluara dhe aktuale të sajat, por edhe foto të vjetra në rini kur ishte e madhja Parashqevi Simaku.

Mesazhi i të afërmes së Parashqevi Simakut:

Pershendetje Zonja Mira,

Unë jam familjare e Parashqevisë. Ne kemi vite që i kemi humbur kontaktet. Informacioni i fundit është që ka pësuar një hemoragji cerebrale dhe si pasojë nuk është shumë e kthjellët.

Me bashkëshortin është ndarë prej shumë kohësh, por duke qenë se ai fitoi kujdestarinë mbi djalin e tyre është detyruar të vazhdojë jetesën në Amerikë për t’i qëndruar pranë djalit.

Tezja e mamasë sime (mamaja e saj) vdiq totalisht e vetme vjet dhe me lot në sy për vajzën. Siç ju thashë kontaktet i kemi humbur prej disa vitesh.

Ju falenderojmë për këtë nismë dhe ndoshta është akoma e mundur ta gjejmë dhe ndihmojmë.

Publikohet intervista e rrallë e Parashqevi Simakut

Lexoni dhe: Netët e ‘harruara’ të gushtit… me dhe pa Parashqevi Simakun (Foto)…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit