Transmetuar më 29-08-2020, 00:11

Ajo mbetet një nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar, në të gjitha viset shqipfolëse.

Parashqevi Simaku kujtohet si ikonë e rrallë e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare.

U pëlqye dhe u duartrokit shumë. Ajo mbetet e dashur për gjithçka dha në skenë, para viteve ’90.

E bukur, por mbi të gjitha me zërin e saj, Parashqevia fitoi shumë shpejt zemrat e popullit shqiptar.

Por pas largimit në SHBA, flitet se jeta e saj është vështirësuar vitet e fundit. Dhe shteti shqiptar nuk është interesuar kurrë për shendetin e një prej simboleve të artit, në një kohë kur kultura dhe muzika po rrënohet gjithnjë e më shumë nga pseudoartistë.

Është raportuar pak vite më parë se ajo vuan nga paraliza faciale, që i ka prekur gojën. Ndaj ajo nuk përformon më në skena me këngët e saj.

Mbase nuk dëshiron për këtë arsye, që publiku ta shohë në një gjendje ku ajo nuk mund të këndojë më.

Një këngëtare e përmasave si Parashqevi Simaku, megjithatë, i mungon skenës shqiptare.

Ajo u lind në Kavajë më 1 shtator 1966. Dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

Këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”. Më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako.

Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që ajo u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivalin e 35-të të Këngës në RTSH si e ftuar.

Pas largimit në SHBA, në fillim të viteve ’90, ajo u rikthyer shumë rrallë. Për herë të fundit më shumë se dy dekada më parë.

Nuk dihet prej vitesh më asgjë për një nga këngëtaret ikonë të vendit tonë. Edhe këtij muaji, që numëron ditët e fundit, ajo i këndoi një nga këngët simbol të rinisë së atëhershme, këngë që këndohet me nostalgji edhe sot. Sepse e tillë ishte Parashqevia, për të mbetur në zemrat dhe memorien e popullit dhe publikut… ndoshta në përjetësi.

/A.M/NOA.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd